Është zhvilluar sot në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me temë “Kalimi i kufirit Shqipëri-Kosovë (Jugosllavi) gjatë viteve 1944-1991: Analizë dypalëshe e dimensionit politik dhe njerëzor”.
Ky aktivitet i rëndësishëm shkencor u organizua nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) në Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Institutin Albanologjik dhe Institutin e Historisë “Ali Hadri” të Prishtinës.
Konferenca bëri bashkë studiues dhe historianë nga Shqipëria dhe Kosova për të ndriçuar një nga periudhat më komplekse të marrëdhënieve dhe lëvizjeve kufitare mes dy vendeve gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë dhe regjimit komunist.
Ndër kumtesat e rëndësishme të mbajtura gjatë punimeve të konferencës, vlerësuar e pritur me interes nga të pranishmit, ishte edhe referimi me temë “Shqipëria dhe Kosova gjatë viteve 1970-1980 në optikën e historianëve shqiptarë”, i cili solli një analizë të detajuar mbi perceptimin dhe dokumentimin historik të marrëdhënieve mes dy vendeve gjatë asaj dekade dinamike.
Punimet e kësaj konference shënojnë një hap tjetër përpara në bashkëpunimin institucional dhe shkencor mes Tiranës dhe Prishtinës për zbardhjen e së kaluarës historike. /mesazhi
