Hutbe e javës
Të nderuar besimtarë!
Një nga parimet bazë të fesë sonë – Islamit – të cilën na e ka urdhëruar ta reflektojmë në çdo fushë të jetës sonë, është mbështetja te Allahu xh. sh. (tevekuli). Mbështetja te Zoti do të thotë që myslimani t’i përmbushë me përgjegjësi të gjitha detyrat e tij, e më pas të strehohet në mëshirën dhe mirësinë e Allahut. Ajo nënkupton marrjen e të gjitha masave të nevojshme dhe nënshtrimin ndaj caktimit të Allahut. Tevekuli është përpjekja njerëzore që shfrytëzon të gjitha mjetet dhe shkaqet e lejuara për të arritur dëshirat e tij legjitime; është përdorimi i mendjes dhe i vullnetit në drejtimin e duhur, duke u mbështetur dhe duke pasur besim të plotë te Allahu xh. sh.
Të dashur besimtarë!
Mbështetja te Allahu, do të thotë që një prind duke marrë parasysh këshillën e Profetit (s.a.s.), ku thotë se: “Asnjë prind nuk mund t’i lërë fëmijës së tij trashëgimi më të vlefshme sesa edukata e mirë”,[1] të jetë shembull i mirë për pasardhësit e tij e më pas të presë prej tyre virtyt dhe mirësi. Mbështetja te Zoti do të thotë që një i ri në përputhje me parimin Kuranor:
وَأَنفِقُوا فِي سَبِيلِ اللَّهِ وَلَا تُلْقُوا بِأَيْدِيكُمْ إِلَى التَّهْلُكَةِ ۛ وَأَحْسِنُوا ۛ إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ الْمُحْسِنِينَ “Bëni punë të mira (dhe bëjeni punën tuaj bukur), sepse Allahu i do ata që i kryejnë punët mirë e bukur”,[2] ta ndërtoj të ardhmen e tij brenda kornizës së diturisë, artit dhe profesionit, e më pas të kërkojë sukses nga Allahu i Madhërishëm.
Besimtarë të nderuar!
Ndonjëherë, mbështetja te Zoti gjen kuptim te një tregtar, i cili pasi i kryen matjet dhe peshimet pa asnjë mangësi, kërkon prej Allahut fitim të mbarë. Ndonjëherë, reflektohet në jetën e një bujku, i cili pasi e punon tokën ashtu siç duhet, ia lë në dorë Allahut bereqetin e korrjeve, në përputhje me hadithin e të Dërguarit (s.a.s.) që thotë: حَسْبُنَا اللَّهُ وَنِعْمَ الْوَكِيلُ عَلَى اللَّهِ تَوَكَّلْنَا
“Thoni: Allahu na mjafton ne, Ai është mbrojtësi (vëkili) më i mirë. Vetëm te Allahu jemi mbështetur (kemi bërë tevekul)”.[3]
Besimtarë të dashur!
Tevekuli nuk është strehë e përtacisë dhe as arsyetim për plogështinë; përkundrazi, ai është mjet për zgjim dhe vetëdijësim. Të bësh “dua me vepra”, duke shpresuar ndihmën e Allahut do të thotë, të prodhosh dije dhe teknologji në përputhje me kërkesat e kohës. Do të thotë të përpiqesh me të gjitha forcat për të arritur fuqinë që do t’i zmbrapsë armiqtë, duke qenë i vetëdijshëm se fitoret nuk arrihen pa mund e djersë; e më pas, të kërkosh ndihmë dhe mbështetje nga Allahu i Madhërishëm.
Anashkalimi i masave me bindjen se “ndodh vetëm ajo që thotë Allahu”, neglizhimi i përgjegjësive me mendësinë se “çfarë është shkruar në kader do të ndodhë”, apo braktisja e punës me mendimin se “si do që të jetë, Allahu ma jep rrizkun”, nuk kanë asnjë vend në konceptin e Islamit për tevekulin. Ajo që i takon myslimanit është të punojë ditë e natë me vetëdijen se “Masat janë nga robi, ndërsa caktimi është nga Allahu”. Paralajmërimi i Zotit të Madhërishëm për këtë çështje është mjaft i qartë:
وَأَن لَّيْسَ لِلْإِنسَانِ إِلَّا مَا سَعَىٰوَأَنَّ سَعْيَهُ سَوْفَ يُرَىٰ “Njeriut i takon vetëm ajo për të cilën është përpjekur. Dhe përpjekja e tij do të shihet (do të shpërblehet) më vonë”.[4]
Të nderuar besimtarë!
Në mënyrë që zemrat tona të gjejnë qetësi, ne kemi nevojë për mbështetjen tek Allahu në çdo fushë të jetës sonë; teksa mësojmë, punojmë, sigurojmë rrizkun për familjen tonë dhe luftojmë kundër vështirësive. Tani është koha për t’u vetëdijësuar dhe për ta rishikuar kuptimin tonë mbi mbështetjen tek Allahu. Është koha që punën, prodhimin dhe përpjekjen t’i shndërrojmë në pjesë të pandashme të jetës sonë.
Si’ç thotë edhe poeti;
“Mbështetu tek Allahu, kapu pas punës, dorëzoju urtësisë,
Nëse ka rrugë, kjo është ajo, s’di rrugëdalje tjetër!”
[1] Tirmidhiu: Birr, 33.
[2] Bakara: 195.
[3] Tirmidhiu: Sifatu’l-kijame, 8.
[4] Nexhm: 39-40.
/Qendra Minber
