Mbi 100 mijë të vdekur për 1 vit nga mbidoza e drogës në SHBA

Mbi 100 mijë persona kanë vdekur si pasojë e mbidozës së drogës përgjatë një viti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është shifra më e lartë vjetore që është regjistruar ndonjëherë në SHBA.

Të dhënat nga Qendrat për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, kanë treguar se vdekjet nga mbidoza janë rritur për 28.5 për qind në periudhën prill 2020 – prill 2021.

Ekspertët besojnë se mbidoza mund të jetë shkaktuar për shkak të ndikimit të pandemisë dhe furnizimit me substanca sintetike. Raste me mbidozë janë raportuar në shumicën e qyteteve amerikane.
Sipas autoriteteve amerikane, në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin regjistruar mbi 78 mijë viktima.

“Të dhënat na tregojnë se ka më shumë njerëz që përdorin drogat vetëm dhe prandaj e dimë se aty ka rrezik të mbidozës. Në këtë periudhë ka pasur edhe ulje të shërbimeve që mund të parandalojnë mbidozën”, tha Katherine Keyes, eksperte për drogat dhe profesoreshë për epidemiologji në Universitetin Kolumbia.

Numri i personave që kanë vdekur si pasojë e mbidozës së drogës ka tejkaluar personat që kanë vdekur nga armët, aksidentet me makina dhe gripi sezonal.

Numri më i madh i viktimave ka qenë në Vermont, Virxhinia Perëndimore dhe Kentaki. /euronews