Mbi 17 mijë persona humbën jetën nga dhuna me armë në SHBA nga fillimi i vitit

Mbi 17 mijë persona kanë humbur jetën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) që nga fillimi i vitit nga incidentet e dhunës me armë, raporton Anadolu.

Sot në SHBA shënohet “Dita Kombëtare e Ndërgjegjësimit për Dhunën me Armë” dhe lidhur me këtë debatohet për dhunën me armë në këtë vend. Sipas të dhënave të Arkivit të Dhunës me Armë (GVA), i cili arkivon ngjarjet e dhunës me armë në SHBA, këtë vit janë kryer 268 sulme të armatosura masive.

Në 5 muajt e fundit në vende të ndryshme të SHBA-së kanë humbur jetën 17.737 persona në incidentet e dhunës me armë ndërsa 14.723 të tjerë janë plagosur. Viktimat e incidenteve të dhunës me armë të moshës midis 0 dhe 11 është regjistruar të jenë 113, kurse mes moshave 12 dhe 17 gjenden 642 fëmijë. Numri i të plagosurve të moshave 0-17 është 1.894.

Në ngjarjet e dhunës me përfshirje të policisë humbën jetën 587 persona ndërsa 361 të tjerë u plagosën. Sipas GVA, numri i të vdekurve nga dhuna me armë në vitin 2022 ishte 44.362 ndërsa 38.592 të tjerë ishin plagosur.

Për përkufizimin e “sulmeve të armatosura masive” merren parasysh kriteret e FBI-së

GVA përdor kriteret e Byrosë Federale të Hetimit (FBI) për të përcaktuar përkufizimin mbi “sulmet e armatosura masive”. Sipas kësaj, sulmet armatosura me bilanc të paktën 4 të vdekur pa përfshirë sulmuesin, vlerësohen si “sulme të armatosura masive”.

Ky përkufizim nuk përfshin aktivitete kriminale fitimprurëse, vrasje familjare ose akte të ngjashme dhune. Në faqen e GVA, sulmet masive përshkruhen kryesish “si një fenomen amerikan”.

Dita Kombëtare e Ndërgjegjësimit për Dhunën me Armë

2 qershori prej 9 vitesh njihet si “Dita Kombëtare e Ndërgjegjësimit për Dhunën me Armë”, për të tërhequr vëmendjen ndaj dhunës së armatosur dhe të shtënave masive që shkaktuan debate të nxehta në shoqërinë amerikane, veçanërisht në Kongres dhe në kryeqytetin Washington.

Me rastin e kësaj dite, organizatat joqeveritare dhe grupet kundër armëve në mbarë vendin organizojnë aktivitete gjatë gjithë javës, të veshur me veshje ngjyrë portokalli, për të përkujtuar viktimat e dhunës me armë.

Në këto ngjarje, anëtarëve të Kongresit Amerikan u kërkohet të marrin masa për rregullimin e nevojshëm ligjor dhe të kërkojnë një të ardhme pa dhunë të armatosur në vend.

SHBA-ja e ka vendin e parë në botë për armatim individual

Kultura e armatimit është një nga çështjet më të diskutuara në SHBA, vendi ku përjetohen sulmet më masive të armatosura në botë. Nga politika deri te shoqëria civile, palët kundër armëve në vend shprehin kërkesat e tyre për kufizime ligjore të së drejtës për armatim individual. SHBA-ja njihet si i vetmi vend në botë ku armët në pronësi të civilëve janë më shumë se popullsia e vendit.

Në hulumtimin e kryer pas sulmit të armatosur në shkollë më 24 maj 2022 ku humbën jetën 21 persona, përfshirë 19 fëmijë në Teksas të SHBA-së, ishte zbuluar se për çdo 100 persona janë 120,5 armë. Me këtë shifër SHBA-ja e zë vendin e parë me armatimin individual.

Edhe në Ishujt Falkland, që pasojnë pas SHBA-së në vendin e dytë në armatimin e civilëve, ka 62 armë për 100 persona, normë e cila është pothuajse gjysma e SHBA-së.

Në hulumtimin në fjalë, u theksua se Jemeni, i cili prej më shumë se 7 vitesh po përjeton luftë civile, renditet i treti me 53 armë për 100 persona, ndërsa në vende si Koreja e Jugut dhe Japonia, kjo përqindje është afër 0.2.

Vlerësohet se 393 milionë nga 857 milionë armët në pronësi të civilëve në botë janë në SHBA, që korrespondon me afërsisht 46 për qind të stokut botëror.

Rreth 44 për qind e të rriturve amerikanë jetojnë në shtëpi ku gjenden armët

Bëhet e ditur se në SHBA, ku çdo vit ndodhin të shtëna masive, 4 në çdo 100 mijë njerëz vdesin si pasojë e dhunës së armatosur dhe kjo normë është 18 herë më shumë se mesatarja në vendet e tjera të zhvilluara.

Sipas të njëjtit hulumtim, në SHBA, që ka vetëm 4 për qind të popullsisë së botës, 44 për qind e vetëvrasjeve me armë zjarri ndodhin në botë. Kompania Gallup në anketën në tetor të vitit 2020 vuri në dukje se rreth 44 për qind e të rriturve amerikanë jetojnë në shtëpi ku gjenden armët dhe rreth një të tretat posedojnë armë.

SHBA-ja është një nga tre vendet në botë ku mbajtja e armës është një e drejtë kushtetuese. Në dy vendet e tjera, Meksikë dhe Guatemalë, thuhet se shkalla e posedimit të armëve në raport me popullsinë është pothuajse një e dhjeta e asaj të SHBA-së.

Derisa shumë vende në mbarë botën marrin masa ligjore kundër dhunës me armë, pavarësisht humbjes së mijëra jetëve, vetëm rreth gjysma e të rriturve amerikanë mbështesin ligje më të rrepta për armët dhe reforma politike. Vlerësohet se ky qëndrim në shoqëri çon në vazhdimin e dhunës me armë zjarri.