Agjencia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) ka njoftuar se më shumë se 4.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina, qëkur Rusia nisi pushtimin në Ukrainë më 24 shkurt.
UNHCR-ja ka thënë se janë 4,503,954 refugjatë ukrainas, 62,291 më shumë se një ditë më parë (të dielën), raportoi BBC-ja të hënën.
Sipas kësaj agjencie të OKB-së, kjo është hera e parë që Evropa është dëshmitare e një numri kaq të madh refugjatësh që nga Lufta e Dytë Botërore.
UNHCR-ja ka njoftuar se 90 për qind e atyre që kanë ikur janë gra dhe fëmijë, pasi shumica e burrave të moshës 18-60 vjeç nuk lejohen të largohen nga Ukraina.
Polonia aktualisht ka numrin më të madh të refugjatëve nga Ukraina, me mbi 2.5 milionë njerëz që kanë kaluar në këtë vend fqinj që nga fillimi i luftës.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të OKB-së për Migracionin (IOM), rreth 210,000 persona joukrainas janë larguar gjithashtu nga ky vend.
Shifrat e publikuara nga IOM më 5 prill kishin zbuluar se 7.1 milionë njerëz të tjerë, ose më shumë se një e katërta e popullsisë së përgjithshme, janë zhvendosur brenda vendit. /koha
