Mbi tre muaj pa paga, ​Qeveria ndan mjetet për profesionistët shëndetësorë të angazhuar gjatë pandemisë

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve për Ministrinë e Shëndetësisë.

Ky vendim është marrë të hënën në mbledhjen e 80-të elektronike.

Me këtë rast, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për alokimin dhe shpenzimin e mjeteve buxhetore deri në vlerën 1 milion e 768 mijë e 300 euro e 93 cent për pagesën e obligimeve kontraktuale të krijuara me lidhjen e kontratave me 1 mijë e 271 profesionistë shëndetësorë dhe staf mbështetës, lidhur me menaxhimin e situatës me COVID-19, për periudhën 15 mars – 15 qershor 2022.

Stafi shëndetësor i angazhuar në menaxhimin epandemisë COVID-19, ditë më parë ka protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë pasi për gati tre muaj nuk ishin paguar.

Me pankartat në duar që mbanin mbishkrimet “Ministër na ktheni përgjigje deri në ora 16:00 se kemi kurs në gjermanisht në orën 17:00”, “Ju të gjithë krenoheni për menaxhim të pandemisë, ne ishim arsyeja”, “Heronjtë e pandemisë të harruar nga Qeveria e Kosovës”, ata kanë kërkuar një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë për pagat e tyre dhe po ashtu rreth kontratave që iu skadojnë në qershor.