Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Mbytet anija me migrantë në Mikonos, 3 të vdekur dhe të paktën...

Mbytet anija me migrantë në Mikonos, 3 të vdekur dhe të paktën 10 të zhdukur – VIDEO

Tre migrantë kanë vdekur në ishullin grek të Mikonos pasi një varkë u përmbys dhe të paktën dhjetë persona të tjerë rezultuan të zhdukur.

Roja bregdetare greke tha se dy migrantë ishin shpëtuar nga deti.

“Operacioni i kërkimit është në vazhdim, duke përfshirë helikopterë dhe varka të rojes bregdetare, si dhe anije”, tha një zëdhënës për radion shtetërore.

Migrantët thuhet se janë nisur dje nga bregu i Detit Egje të Turqisë.

Numri i saktë i personave që ishin në bordin e varkës mbeti fillimisht i paqartë, pasi dy migrantët e shpëtuar dhanë shifra të ndryshme, raportojnë mediet lokale.

Shpesh, në zonën detare rreth Mikonos, erërat e forta mund të rezultojnë shumë të rrezikshme për varkat e vogla.

Kontrabandistët përpiqen vazhdimisht të sjellin njerëz nga Turqia përmes Mesdheut lindor me varka të vogla, në mënyrë që të arrijnë në Bashkimin Evropian, shpesh përmes Greqisë.

Megjithatë, shumë prej këtyre përpjekjeve përfundojnë në katastrofë, për shkak të motit të keq dhe anijeve të mbipopulluara të papërshtatshme për lundrim.

Shifrat e OKB-së tregojnë se të paktën 326 persona vdiqën në rajon vitin e kaluar, megjithëse shifra e vërtetë mendohet të jetë dukshëm më e lartë. /atsh

Exit mobile version