Me autobusë të shumtë serbët nga Kosova udhëtojnë drejt Beogradit, në përkrahje të Aleksandar Vuçiq

Aleksandar Vuçiq sot zyrtarisht betohet si President i Serbisë.

E për të përkrahur atë, para Kuvendit të Serbisë pritet që të mblidhen deri në 200 serbë nga Kosova, të cilët janë vetorganizuar për të shkuar në Beograd.

Ata pritet që të shoqërohen nga përfaqësuesit e Listës Serbe.

Siç ka raportuar Tanjug, disa autobusë me serbë nga Kosova janë nisur mëngjesin e sotëm drejt Beogradit, për t’i dhënë mbështetje presidentit serb, Vuçiq.

Ai pritet që sot të bëjë betimin në Kuvendin e Serbisë.

Madje këta serbë të cilët udhëtuan nga Kosova thanë se nuk ishte fare e vështirë për ta që të ngriheshin herët dhe të udhëtonin në kryeqytetin e Serbisë për të mbështetur Vuçiq-in, pasi sipas tyre “ai ishte gjithmonë me ta kur kishin më së shumti nevojë”.

Serbët nga Kosova kanë deklaruar se presin që mandatin e ardhshëm, Vuçiq të luftojë për interesat e popullit serb në Kosovë.

Vuçiq do të bëjë sot betimin për mandatin e dytë presidencial. Seanca e veçantë e Kuvendit është paraparë të nis në ora 11:00.

Më 3 prill të këtij viti, Aleksandar Vuçiq fitoi raundin e parë të zgjedhjeve të rregullta presidenciale me 58.59 për qind të votave të përgjithshme.

Ky është mandati i dytë i Vuçiq-it, si President i Serbisë.