Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Meksika i ofron azil politik Assange

Meksika i ofron azil politik Assange

Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador deklaroi se duan t’i japin azil politik Julian Assange, themeluesit të WikiLeaks dhe të cilin SHBA-të e akuzojnë për spiunazh.

Në konferencën për shtyp Obrador vuri në dukje se Assange nuk paraqet ndonjë rrezik për Meksikën dhe se ofertën e azilit politik e kanë bërë me objektivin e vëllazërisë dhe solidaritetit.

Presidenti meksikan Obrador i kërkoi gjithashtu SHBA-së, e cila e kërkon Assange për ta gjykuar atë për spiunazh, të vepronte me humanizëm dhe solidaritet, duke treguar se ai i kishte shkruar një letër ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke i kërkuar që ta falnin Assange, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) akuzojnë 50-vjeçarin Assange për “komplot për të siguruar informacione të mbrojtjes kombëtare” dhe “komplot për zbulimin e këtyre informacioneve” pasi ai publikoi qindra-mijëra dokumente të zbuluara në lidhje me luftërat në Afganistan dhe Irak.

Për shkak të padive që janë ngritur kundër tij Assange fillimisht u strehua në Ekuador dhe më pas në Angli, ku mbahet në burgun e sigurisë së lartë Belmarsh në Londër, kryeqyteti i Anglisë, që nga viti 2019, megjithëse nuk ka marrë ndonjë dënim në lidhje me akuzat e SHBA-së dhe kërkesën për ekstradim. Thuhet se Assange mund të dënohet të paktën me 165 vjet burg nëse ekstradohet në SHBA. /trt

Exit mobile version