Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, zhvilloi një takim në Romë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Pas takimit, Meloni theksoi rëndësinë strategjike të mbështetjes për Ukrainën dhe sigurinë e Evropës.
“Ne e konsiderojmë mbështetjen për Ukrainën si një çështje me rëndësi strategjike. Italia synon të kontribuojë për arritjen e zgjidhjeve të pranuara bashkërisht që mund të mbrojnë sovranitetin e Kievit”, tha Meloni.
Kryeministrja italiane shtoi se Italia, brenda grupit të vendeve G7, do të vazhdojë të promovojë masa për të ushtruar presion ekonomik mbi Rusinë dhe do të punojë për të garantuar mbështetje ekonomike për Ukrainën, sipas vendimeve të Këshillit Evropian.
Meloni gjithashtu theksoi se Italia shpreson që procesi i pranimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian të fillojë dhe se vendi i saj dëshiron të zhvillojë prodhim të përbashkët të dronëve me Kievin, një sektor ku Ukraina ka një rol kyç.
Gjatë takimit, dy liderët diskutuan edhe situatën në Iran.
Nga ana e tij, Zelensky theksoi bashkëpunimin me Italinë për garantimin e sigurisë dhe falënderoi kryeministren italiane për përpjekjet e saj personale në mbrojtje të interesave evropiane.
