Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Merkel në takim me shkencëtarët Şahin dhe Türeci: Jemi krenarë me ju

Merkel në takim me shkencëtarët Şahin dhe Türeci: Jemi krenarë me ju

Kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi se vendi i saj është krenar për suksesin e themeluesve të gjigantit të bioteknologjisë BioNTech, Uğur Şahin dhe Özlem Türeci të cilët krijuan vaksinën kundër koronavirusit (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

“Jemi shumë krenarë për ju. Këtë mund ta them në emër të qeverisë gjermane”, tha Merkel gjatë një takimi me video-konferencë me Şahin dhe Türeci, dy shkencëtarë me origjinë turke.

Duke theksuar rëndësinë e vaksinës së zhvilluar për të luftuar koronavirusin, Merkel shfaqi shpresën se shumë jetë njerëzish do të shpëtohen nga vaksinat e zhvilluara nga dy shkencëtarët nën kujdesin e Pfizer dhe BioNTech.

Merkel tha se ishte e lumtur që presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan gjithashtu vuri në dukje në takimin e liderëve të G20 se Şahin dhe Türeci ishin nga ai vend.

Duke theksuar se ndërmarrja e tyre u bë një dritë në fund të tunelit, Merkel tha se ka kaluar koha kur askush nuk besonte në punën dhe ekspertizën e Şahin dhe Türeci.

“Ju i besuat teknologjisë suaj. Pavarësisht situatës emergjente në botë, kjo teknologji mARN doli në treg shpejt. Ky është një tregues i hulumtimeve të shkëlqyera. Duhet t’i besojmë shkencës dhe ta mbështesim atë. Jo të gjitha potencialet e teknologjisë mARN janë shfrytëzuar. Nuk është e lehtë të merresh me një përgjegjësi të tillë. Urime për ju”, tha Merkel.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn gjithashtu tha se vaksina është prodhuar në Mainz, Gjermani, se është konfirmuar si e besueshme dhe se Gjermania ka arsye për të qenë krenare.

Nga ana tjetër, shkencëtari Uğur Şahin tha se prapa projektit 11-mujor për zhvillimin e vaksinës anti-COVID-19 qëndrojnë tre dekada pune në fushën e forcimit të imunitetit dhe luftës kundër kancerit.

Şahin falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur ekipin e tij që nga fillimi i projektit.

Duke theksuar se ai punon me ekspertë nga më shumë se 60 vende, Şahin tha se punuan së bashku dhe vazhdimisht në zhvillimin e vaksinës.

Şahin tha se është absolutisht i sigurt se kthimi në jetën normale do të jetë i mundur deri në dimrin e ardhshëm dhe se nuk do të ketë më nevojë për masa kufizuese bllokimi. Ai tha se ekipet do të punonin gjithashtu gjatë festave të ardhshme që vaksinat të shpërndahen në të gjitha shtetet.

Shkencëtarja Özlem Türeci tha se vendimi mbi hulumtimin me qëllim të zhvillimit të vaksinës anti-COVID-19 filloi më 24 janar ndërsa të paktën 140 mijë njerëz tashmë janë vaksinuar në Britani të Madhe.

“Rezultatet e hulumtimit përkuan me rezultatet e aktiviteteve klinike. Megjithatë, maratona nuk ka mbaruar”, tha Türeci.

Autoritetet gjermane paralajmëruan se më 27 dhjetor do të fillojnë me vaksinimin masiv të vaksinës anti-COVID-19, Pfizer dhe BioNTech dhe vaksinimi tashmë ka filluar në Britani të Madhe, SHBA dhe disa vende të tjera.

Exit mobile version