Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Merr fund pushteti 16-vjeçar i Orbanit, Magyar fiton zgjedhjet në Hungari

Merr fund pushteti 16-vjeçar i Orbanit, Magyar fiton zgjedhjet në Hungari

Peter Magyar

Viktor Orban ka pranuar humbjen në zgjedhjet e të dielës në Hungari, duke i dhënë fund pushtetit të tij 16-vjeçar. Orbani e ka quajtur të dhimbshëm rezultatin e zgjedhjeve të së dielës, ku partia opozita Tisza e Peter Magyarit ka dominuar.

Magyari është projektuar të marrë 2/3 e ulëseve në Parlamentin e Hungarisë të përbërë nga 199 deputetë. Kur janë numëruar rreth 85 për qind të votave, Tisza parashihet të marrë 138 ulëse, karshi 54 sa do t’i marrë Fidesz e 7 Mi Hazank.

“Faleminderit Hungari!” – ka shkruar Magyar në rrjete sociale, ndërsa ai paraprakisht kishte mbajtur edhe konferencë për media.

E Orban u ka thënë përkrahësve të tij se “e ka uruar partinë fituese”.

“Ne do t’i shërbejmë kombit hungarez dhe vendit tonë edhe nga opozita”, tha Orban.

Është një goditje e madhe për Orbanin, udhëheqësin më jetëgjatë të një shteti anëtar të Bashkimit Evropian dhe një nga kundërshtarët e tij më të mëdhenj, i cili ka bërë një rrugë të gjatë nga ditët e tij të hershme si një figurë liberale dhe antisovjetike deri te nacionalisti miqësor me Rusinë, i admiruar sot nga e djathta ekstreme globale.

Partitë e Orbanit dhe të Magyarit thanë se kishin marrë raportime për shkelje zgjedhore, duke sugjeruar se disa rezultate mund të kundërshtohen nga të dyja palët.

Qendrat e votimit u hapën në orën 6 të mëngjesit dhe u mbyllën në orën 19:00. Dalja ishte rekorde, mbi 78 për qind.

Këto zgjedhje ishin konsideruar si një zgjedhje mes “Perëndimit dhe Lindjes”.

Orbani ka penguar vazhdimisht përpjekjet e Bashkimit Evropian për ta mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit në shkallë të plotë nga Rusia, ndërsa ka kultivuar lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin dhe ka refuzuar t’i japë fund varësisë së Hungarisë nga importet ruse të lëndëve djegëse fosile.

Zbulimet e fundit kanë treguar se një anëtar i lartë i qeverisë së tij shpesh ka ndarë përmbajtjen e diskutimeve të BE-së me Moskën, duke ngritur akuza se Hungaria po vepronte në emër të Rusisë brenda bllokut.

Zgjedhjet u ndoqën nga afër në vende në të gjithë Evropën dhe më gjerë, gjë që dëshmon për rolin jashtëzakonisht të madh që Orbani zë në politikën populliste të së djathtës ekstreme në mbarë botën.
Në Budapest, por edhe në qytete tjera të Hungarisë ka pasur festë pas fitores së Tiszas.
E partia e Magyarit ka marrë urime, përfshirë nga kancelari gjerman Friedrich Merz e presidentin francez Emmanuel Macron.

Merz ka thënë se po shikon para të punojë me Magyarin dhe shpreson “t’i bashkojë forcat për një Evropë të fortë, sigurt dhe mbi të gjitha të bashkuar”.

Exit mobile version