Mianmar, rreth 37 mijë të zhvendosur teksa konflikti përshkallëzohet

Rreth 37 mijë persona, përfshirë gra dhe fëmijë, janë zhvendosur për shkak të përleshjeve midis ushtrisë dhe forcave lokale të mbrojtjes popullore në Mianmar, deklaroi të mërkuren Florencia Soto Nino, zëdhënësja e kreut të OKB-së, Antonio Guterres, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nino në një konferencë për media tha se OKB-ja është thellësisht e shqetësuar për përshkallëzimin e luftimeve midis ushtrisë dhe forcave lokale në shtetin veriperëndimor Chin si dhe rajonet Magway dhe Sagaing.

Sipas saj, përleshjet të cilat shpërthyen pasi ushtria mori kontrollin e administratës më 1 shkurt, rezultuan në dëmtimin e vendbanimeve dhe zhvendosjen e njerëzve. Zëdhënësja e OKB-së, Nino shtoi se vendasit, përfshirë gra dhe fëmijë si dhe punonjës të ndihmës humanitare, u larguan nga rajoni për në Indinë si rezultat i përshkallëzimit.

Ajo u bëri thirrje palëve në konflikt që të përmbushin përgjegjësitë e tyre sipas ligjit ndërkombëtar dhe normave të të drejtave civile në drejtim të mbrojtjes së civilëve dhe punonjësve të ndihmës humanitare. /aa