Mijëra euro borxh ndaj PZAP-së, partitë politike rrezikojnë të mos certifikohen nga KQZ për zgjedhjet lokale

Gjatë ditës së djeshme Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar liderët e partive politike në vend në mënyrë që të diskutohet data e zgjedhjeve lokale.

Nga partitë politike është propozuar që muaji tetor të jetë koha kur të zhvillohen këto zgjedhje. Por shumë prej partive politike të cilat pritet të kandidojnë në këto zgjedhje mjaftë të rëndësishme për vendin, ende nuk kanë paguar gjobat të cilat i morën në zgjedhjet nacionale të zhvilluara më 14 shkurt.

Gjobat e shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa gjatë këtyre zgjedhjeve në drejtim të partive politike ishin gjithsej 208, 350.00 euro.

I kontaktuar nga lajmi.net zëdhënësi i PZAP-së, Mulë Desku ka bërë të ditur se shumë prej këtyre partive ende nuk i kanë shlyer të gjitha borxhet që kanë në drejtim të PZAP-së.

Janë gjithsej 112 mijë e 75 euro të papaguara nga partitë politike, të cilat pretendojnë të kandidojnë në këto zgjedhje.

Desku ka theksuar se nëse subjektet politike nuk i paguajnë këto gjoba të shqiptuara nga PZAP, nuk do të certifikohen nga Komisioni Qendror Zgjedhor për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

“PZAP është duke pritur reflektimin e Subjekteve Politike që ti paguajnë gjobat”, ka deklaruar Desku.

Partia e cila ka më së shumti borxh në drejtim të PZAP-së është Partia Demokratike e Kosovës, me gjithsej 33,050.00 euro.

“Në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës të mbajtura me 14 Shkurt 2021, PZAP-i ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike në shumë prej 208,350.00 euro. Lidhja Demokratike e Kosovës, është dënuar në shumë prej gjithsej: 24,600.00 euro, ka paguar 14,300.00 euro, papaguar i ka edhe 10,300.00 euro. Partia Demokratike e Kosovës, është dënuar në shumë prej gjithsej: 66,100.00 euro, ka paguar 33,050.00.00 euro, papaguar i ka edhe 33,050.00 euro”, deklaroi Desku.

Hiç më mirë nuk është as partia fituese e zgjedhjeve nacionale, si dhe partia drejtuese në vend, Lëvizja Vetëvendosje.

Partia e drejtuar nga Albin Kurti, ishte dënuar në shumë prej gjithsej: 40,700.00 euro, ndërsa ka paguar 20,350.00 euro, papaguar i ka edhe 20,350.00 euro.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – AAK, është dënuar në shumë prej gjithsej: 52,375.00 euro, ka paguar 26,375.00 euro, papaguar i ka edhe 26,375.00 euro. NISMA, është dënuar në shumë prej gjithsej: 22,000.00 euro dhe ende nuk ka filluar ti paguaj gjobat”, u tha tutje në përgjigjen e dhënë nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa.

E dënuar në zgjedhjet e kaluara ishte edhe Lista Serbe në shumë prej gjithsej: 2,200.00 euro dhe është partia e vetme në vend e cila ka paguar të gjitha gjobat, prej 2,200.00 euro.

Në përgjithësi nga gjithsej 208 mijë e 350 euro gjoba të shqiptuara në drejtim të partive politike, janë paguar vetëm: 96,275.00 euro.

Në nivel të përgjithshëm partitë politike i detyrohen PZAP borxh prej 112, 075.00 euro.

“Gjoba të shqiptuara janë gjithsejtë: 208,350.00 euro.Gjoba janë paguar gjithsejtë: 96,275.00 euro,Gjoba të papaguara janë gjithsejtë: 112,075.00 euro”.

Duhet përkujtuar që shumë prej partive politike veçse kanë filluar të publikojnë emrat e kandidatëve që do të kenë në këto zgjedhje lokale.

Sa i përket komunës së Prishtinës tashmë janë zyrtarizuar kandidati i LDK-së, Përparim Rama, kandidati i AKR-së, Selim Pacolli si dhe kandidati i AAK-së, Daut Haradinaj.

Duhet përkujtuar që në zgjedhjet nacionale partitë politike patën një rënie të dukshme sa i përket rezultateve të përgjithshme, ku PDK doli parti e dytë ndërsa LDK u rendit parti e tretë e që u cilësua si rënia më e madhe ndonjëherë e kësaj partie.

Kësisoj mbetet të shihet nëse zgjedhjet lokale në vend do të sjellin ndryshime sa i përket drejtimit të komunave.