Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ministri britanik pranon se 200 fëmijë azilkërkues janë zhdukur, 176 prej tyre...

Ministri britanik pranon se 200 fëmijë azilkërkues janë zhdukur, 176 prej tyre shqiptarë

Ministri i Brendshëm britanik, Simon Murray ka pranuar se 200 fëmijë azilkërkues që ishin vendosur në hotelet e drejtuara nga Home Office janë zhdukur.

Sipas tij kanë humbur 13 fëmijë nën moshën 16 vjeç dhe një pjesë e madhe e fëmijëve të humbur janë shqiptarë.

Zbulimi vjen pasi Observer raportoi se një sinjalizues nga një hotel i Home Office në Brighton e kishte konfirmuar faktin se disa fëmijë ishin rrëmbyer nga rruga jashtë hotelit dhe ishin futur me dhunë në makinë.

Departamenti u paralajmërua nga policia se banorët e pambrojtur të hotelit, fëmijë azilkërkues që kishin mbërritur së fundmi në MB, shumica prej tyre me gomone, pa prindër apo kujdestarë do të ishin në shënjestër të rrjeteve kriminale.

88% e 200 fëmijëve, 176 ishin me origjinë shqiptare dhe Murray tha se po shpreson që qeveria të heqë dorë nga përdorimi i hoteleve për fëmijët sa më shpejt të jetë e mundur.

Ka 6 hotele të Home Office për fëmijët azilkërkues të pashoqëruar duke përfshirë atë në Brighton.

OJQ-të kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për fëmijët që zhduken nga strehimi dhe kanë ofruar të ndihmojnë Home Office për t’i mbajtur ata të sigurt, por qeveria i ka refuzuar këto oferta.

Policia e Sussex-it bëri të ditur se ata arrestuan dy burra të dyshuar për trafikim njerëzor pasi fëmijët që qëndronin në një hotel u panë duke u futur në makinën e tyre. Një zëdhënës tha se ata nuk kishin marrë asnjë pretendim për rrëmbim.

Që kur Home Office filloi strehimin e azilkërkuesve në hotele në Brighton dhe Hove në korrik 2021, 137 fëmijë të pashoqëruar janë raportuar të zhdukur, tha zëdhënësi i policisë. Prej tyre, 60 janë gjetur dhe 76 raste mbeten në hetim. /5pyetjet

Exit mobile version