Ministri i Brendshëm francez, Darmanin: Nuk do të marrim mësim nga britanikët lidhur me emigrantët

Gerald Darmanin

Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin tha se vendi i tij është i ekspozuar ndaj pasojave të politikës së Britanisë së Madhe për emigrantët e parregullt dhe tha se “Nuk do të marrim mësim nga britanikët”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për kanalin televiziv Cnews, Darmanin tha se një numër i madh i emigrantëve të parregullt në qytetin Calais në brigjet e La Manshit janë pritje për të kaluar në Britani.

Kjo situatë buron nga politika e qeverisë britanike, njoftoi Darmanin i cili shtoi: “Dëshiroj t‘i kujtoj homologut tim britanik se janë organizatat e shoqërisë civile ata të cilët pengojnë punën e policisë dhe xhandarmërisë. Një pjesë e madhe e tyre janë britanikë dhe mes tyre ka shtetas britanikë që jetojnë në Francë”.

“Nëse Britania bën ndryshime në ligjet lidhur me pranimin e emigrantëve të parregullt, këta emigrantë nuk do të qëndrojnë në Calais ose Dunkerque dhe do të shkojnë në këtë vend”, potencoi Darmanin duke shtuar se “Jemi të ekspozuar ndaj pasojave të politikës britanike. Nuk duhet të ndryshohen rolet”.

Në lidhje me politikën e vendit të tij për emigrantët e parregullt, Darmanin tha se “Nuk do të marrim mësim nga britanikët”. Ai bëri të ditur se britanikët nuk duhet ta bëjnë Francën “produkt të politikës së tyre të brendshme”.

Në 11 ditë 3.780 persona kanë hyrë në vend nëpërmjet Francës

Darmanin këtë mbrëmje do të takohet në Paris me ministren e Brendshme të Britanisë, Priti Patel.

Përveç parashikimit se brenda këtij muaji në Britani do të mbërrijnë rreth 2 mijë emigrantë, bëhet e ditur se vetëm në 11 ditë 3.780 persona kanë hyrë në vend nëpërmjet Francës.

Presidenti francez Emmanuel Macron, në një deklaratë më 31 tetor tha se shumë emigrantë të parregullt që ndodhen në Calais nuk kanë bërë kërkesë për azil në Francë dhe se dëshirojnë të shkojnë në Britani. “Tensionet për këtë çështje janë rritur dhe kanë shkaktuar debate politike brenda Britanisë. Nuk mund të pranojmë disa preferenca dhe praktika si kthimin prapa të atyre që vijnë me rrugë detare. Kjo është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare humanitare. Për këtë kemi biseduar shumë herë me Boris Johnson (kryeministrin britanik)”, kishte theksuar Macron. /aa