Ministri izraelit i Mbrojtjes: Sulmet ndaj Gazës do të vazhdojnë

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz tha se nuk kanë planifikuar armëpushim dhe se do të vazhdojnë sulmet ndaj Gazës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas gazetës “The Times of Israel”, ministri Gantz ka vizituar qytetin Askalan, një prej qyteteve më të dëmtuara nga sulmet me raketa të grupeve të rezistencës palestineze.

Në një deklaratë këtu Gantz vuri në dukje se Izraeli nuk do të ndalë sulmet e tij. “Izraeli nuk përgatitet për armëpushim. Aktualisht nuk është caktuar se kur do të përfundojë ky operacion. Forcat izraelite të mbrojtjes do të vazhdojnë sulmet e tyre dhe do të sigurojnë një qetësi të plotë afatgjate”, shtoi Gantz.

“Nuk do t’u kushtojmë rëndësi predikimeve morale kundër detyrës tonë për të mbrojtur shtetasit izraelitë”, tha Gantz, lidhur me reagimet ndërkombëtare kundër Izraelit i cili kryen sulme ndaj vendbanimeve civile në Gaza.

Ushtria izraelite: Kemi kryer sulme ndaj 500 objektivave në Gaza

Ushtria izraelite në një deklaratë njoftoi se që nga e hëna kanë kryer sulme ndaj 500 objektivave në Gaza.

Më tej në deklaratë thuhet se në sulmet ajrore që vazhdojnë janë vendosur në objektiv ndërtesat, pozicionet nëntokësore dhe raketahedhësit e fshehura nën tokë të cilat përdoren nga grupet e rezistencës palestineze si dhe drejtuesit e nivelit të lartë ushtarak të Hamasit dhe shtëpitë e tyre. /aa