Ministri izraelit i Sigurisë paralajmëron se politikani ekstremist Ben-Gvir mund të shkaktojë intifadë

Itamar Ben-Gvir

Ministri në largim i Sigurisë Publike të Izraelit, Omer Barlev, paralajmëroi se politikani ekstremist Itamar Ben-Gvir mund të nxisë një konfrontim në shkallë të gjerë me palestinezët, raporton Anadolu Agency (AA).

Ben-Gvir, kryetar i partisë hebraike të ekstremit të djathtë Forca, pritet të bëhet ministër i Sigurisë Kombëtare në qeverinë e ardhshme të kryesuar nga Benjamin Netanyahu.

Barlev tha se nëse Ben-Gvir, si ministër i sigurisë, vazhdon me planet e tij për ndryshimin e status quo-së në “vendin e shenjtë të malit të tempullit të Jerusalemit (Kudsit)”, duke iu referuar zonës së xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, ai “do të hedhë Lindjen e Mesme në zjarr”.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke pretenduar se në kohët e lashta aty ishin dy tempuj hebrenj.

Sipas status quo-së së Kudsit, të njohur ndërkombëtarisht, hebrenjtë lejohen të vizitojnë kompleksin, por jo të luten, por vitet e fundit, kolonët izraelitë janë parë duke kryer rituale lutjeje brenda kompleksit Al-Aksa.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967. Më pas, në vitin 1980, ata aneksuan të gjithë qytetin, lëvizje kjo që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.