Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ministri Vengu: Korridori 8 përfshihet zyrtarisht në infrastrukturën kritike ushtarake të NATO-s

Ministri Vengu: Korridori 8 përfshihet zyrtarisht në infrastrukturën kritike ushtarake të NATO-s

Sipas autoriteteve shqiptare, Korridori 8 është përfshirë zyrtarisht në infrastrukturën kritike ushtarake të NATO-s, transmeton Anadolu.

Vendimi është bërë i ditur nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, në përfundim të Ministerialit të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, të mbajtur në Bruksel.

Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se Korridori 8, me pikënisje në kompleksin portual Durrës – Porto Romano dhe dalje në Detin e Zi është përfshirë zyrtarisht në planet dhe infrastrukturën kritike ushtarake të NATO-s, duke u njohur si korridor sigurie për mbrojtjen kolektive të Aleancës.

“Ky zhvillim e pozicionon Shqipërinë në një nyje strategjike të arkitekturës së sigurisë euroatlantike dhe e vendos vendin në qendër të planeve rajonale dhe infrastrukturave, ku NATO do të përqendrohet në vitet në vijim”, thekson njoftimi.

Sipas njoftimit, Ministri i Mbrojtjes, Vengu, deklaroi se, përfshirja e Korridorit 8 është rezultat i “një pune disa vjeçare të disiplinuar, të qartë, të qëndrueshme”.

“Kjo është një arritje konkrete, që e pozicionon Shqipërinë në zemrën e të gjitha planeve rajonale dhe në zemrën e të gjitha infrastrukturave, ku Aleanca do përqendrohet në vitet në vijim”, ka deklaruar ministri Vengu.

Sipas ministrisë, në fokus të Ministerialit ishte edhe e ardhmja e operacioneve, ku Shqipëria kontribuon, veçanërisht misioni i KFOR-it në Kosovë.

“Shqipëria do rrisë kapacitetet e saj dhe përfshirjen në këtë mision, për herë të parë edhe me Forcën e saj Ajrore. Ndërkohë që në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Komandën Amerikane në Evropë po bëhen të gjitha rivlerësimet e nevojshme për të ardhmen e këtij misioni, çka përbën edhe një okazion shumë të mirë për qeverinë e re të sapozgjedhur në Kosovë që të rrisë bashkëpunimin cilësor gjithnjë e më të ngushtë me Aleancën”, ka theksuar Vengu, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

Një tjetër pikë e diskutimeve, sipas njoftimit, ishte rritja e investimeve në mbrojtje dhe ristrukturimi i industrisë ushtarake në vendet aleate:

“Shqipëria e ka nisur me vendosmëri këtë rrugë dhe çdo ditë po krijojmë kapacitete të reja përsa i përket industrisë tonë me disa kontrata të lidhura dhe disa kontrata në negocim e sipër”, është shprehur ministri Vengu.

Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se, ndërkohë kanë nisur edhe përgatitjet për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Tiranë në vitin 2027, në bashkëpunim me palën turke dhe Sekretariatin e Aleancës në Bruksel.

Exit mobile version