Ministria e Ekonomisë: Vjedhja e energjisë elektrike po kushton qindra miliona euro në vit

Ministria e Ekonomisë sërish ka folur për gjendjen me energji elektrike.

Përmes një komunikate, ME thekson se përdorimi i paautorizuar i energjisë elektrike, humbjet komerciale të KEDS-it – vjedhjet e energjisë elektrike gjatë vitit 2021, do të kushtonin deri në 110 milionë euro nëse do të bliheshin të gjitha me çmimet e importit.

“Pra dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë 31 ditë në vit për t’i mbuluar vetëm vjedhjet e energjisë elektrike”.

Ndërsa për vitin 2022 vjedhjet parashikohen të arrijnë deri në 99 milionë euro, nëse çmimi i energjisë nuk rritet më tej në bursat ndërkombëtare, apo 26 ditë pune të dy blloqeve të Termocentralit “Kosova B”.

Në situatën e krijuar me furnizim me energji elektrike, Ministria e Ekonomisë thotë se është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse të furnizimit.

“Ne jemi duke ndërmarrë masa për të dhënë ndihmën e duhur në ndërprerjen e përdorimit të paautorizuar të energjisë elektrike së bashku me organet ligj zbatuese dhe kompaninë e distribuimit të energjisë elektrike, KEDS, e cila e ka për detyrë sipas kontratës së privatizimit që t’i ndalë ato”, thuhet tutje.

MI thekson se këto vjedhje të energjisë elektrike, jo vetëm që janë vepra penale sipas Kodit Penal, por tashmë janë një kosto e papërballueshme që duhet të paguhen nga paratë e të gjithëve nëse nuk ndalen.

“Kryerësit e këtyre veprave, energjinë e vjedhur e shfrytëzojnë në mënyrë jo racionale, jo për nevojat bazike. Kyçjet e paautorizuara në rrjetin e energjisë elektrike përbëjnë rrezik edhe të jetës dhe rrezik në stabilitetin e rrjetit të distribuimit”

Ministria e Ekonomisë shton se ditëve në vijim institucionet do të qëndrojnë në monitorim të aksioneve të KEDS-it për të ndalur vjedhjet e energjisë. Ndërkohë po koordinohen masat shtesë për këtë dukuri.

“Ju inkurajojmë që përveç kursimit të energjisë elektrike të raportojmë secili rastet e vjedhjeve të energjisë kudo ku i vini re apo keni dijeni për to”.

“Raportimi i tyre masiv do të ndikojë në sigurinë e furnizimit me energji elektrike në këtë kohë të vështirë të krizës energjetike, e gjithashtu edhe në parandalimin e fatkeqësive”, thuhet në fund.