Ministrja Hoxha ndau 20 mijë euro për dy OJQ që nuk kanë të bëjë fare me Integrimin Evropian

Sipas rregullores “Mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve”, ofruesit e mbështetjes financiare mund të japin mbështetje financiare vetëm në fushën e veprimtarisë dhe përgjegjësive të tyre.

Kjo bëhet fillimisht duke shpallur thirrjen publike me kriteret të cilat duhet plotësuar ato, për të përfituar nga subvencionimi i Ministrisë.

Mirëpo, këtë rregullore në ndarjen e mjeteve për OJQ-të, nuk e ka përfillur
Ministria e Integrimit Evropian, transmeton Indeksonline.

MIE në tetor të 2018-ës kishte shpallur thirrjen publike për mbështetjen financiare publike për projekte/programe të organizatave jo-qeveritare në fushën e Integrimit Evropian.

Por, Komisioni për shkak të kohës së shkurtër dhe numrit të madh të aplikuesve, kishte kërkuar që të anulohen ky proces, anulim ky që u bë me datë 06.12.2018.

Pas anulimit të kësaj thirrje, pesë ditë me vonë, me vendim të Ministres Dhurata Hoxha dhe jashtë procedurave të kërkuara ishin ndarë mjete për dy OJQ, veprimtaria e të cilave nuk lidhet fare me Integrimin Evropian.

E vlera e mbështetjes financiare për këto dy OJQ- ishte 20 mijë euro, nga 10,000€ për secilën.

Sipas zyrtarëve, kjo përkrahje ishte bërë për shkak të ndjeshmërisë së kategorisë shoqërore që mbulojnë këto dy OJQ (për fëmijët me sindromin DOWN dhe promovimin e të drejtave të grave), dhe nevojës së tyre për këto mjete.

Mirëpo, sipas ZKA-së, dhënia e subvencioneve jashtë fushëveprimtarisë, dhe pa zbatuar kriteret dhe procedurat e kërkuara, përkundër faktit që kanë për qëllim solidarizimin dhe përkrahjen e një kategorie të ndjeshme të shoqërisë, rritë rrezikun që fondet për subvencione të ndahen në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me objektivat fillestare.

Po ashtu, Ministrja Hoxha duhet të shmang ndërhyrjet në dhënien e subvencioneve, pa respektimin e kritereve dhe kërkesave të rregullores, dhe të siguroj që mjetet e parapara për subvencionim, të jepen në pajtim me objektivat dhe veprimtarinë e MIE.