Moderna, akuzohet se vaksinën kundër COVID-19 ia shet kryesisht vendeve të pasura

Kompania farmaceutike amerikane Moderna, akuzohet se vaksinën që ka prodhuar kundër koronavirusit të ri (COVID-19) ia shet kryesisht vendeve të pasura dhe se mban në pritje vendet e varfra, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të “New York Times” të cilin e bazon në të dhënat e kompanisë Airfinity e cila ndjek dërgesat e vaksinave, thuhet se Moderna i ka shitur kryesisht vendeve të pasura vaksinën që ajo ka prodhuar kundër COVID-19.

Kompania farmaceutike amerikane Moderna, ka dërguar rreth 1 milion doza të vaksinës ndaj vendeve që Banka Botërore i përcakton si vende me të ardhura të ulëta, ndërsa Pfizer/BioNTech ka dërguar 8.4 milionë doza dhe Johnson&Johnson 25 milionë doza.

Një numër i vogël i vendeve me të ardhura të mesme që kanë kërkuar të marrin vaksinën kundër COVID-19 të zhvilluar nga Moderna nuk kanë marrë ende në dorëzim vaksinat, ndërsa të paktën 3 vende kanë paguar më shumë se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian për vaksinën Moderna.

Nga marrëveshja që Moderna ka bërë me Bashkimin Evropian dhe 22 vendet e tjera për shitjen e vaksinave asnjëra prej tyre nuk është me të ardhura të ulëta, ku vetëm Filipinet janë me të ardhura të mesme thuhet në lajmin në të cilin vihet në dukje se SHBA-ja ka bërë një pagesë prej 15 deri në 16.5 dollarë për një dozë të vetme, Bashkimi Evropian 22.6 deri në 25.5 dollarë si dhe Botswana, Tajanda dhe Kolumbia 27 deri në 30 dollarë.

Dr. Tom Frieden, ish kreu i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) të SHBA-së, ka akuzuar kompaninë farmaceutike amerikane Moderna se “vepron sikur nuk ka asnjë përgjegjësi tjetër përveç rritjes së të ardhurave”.

Ndërsa Moderna ka deklaruar se kapacitetet e saj të prodhimit janë të kufizuara dhe se me të gjitha dozat e vaksinës që kanë prodhuar aktualisht mund të përballojnë vetëm porositë që kanë marrë më parë nga Evropa.

Në lajmin e gazetës të bazuar në zyrtarë të lartë, thuhet se edhe administrata e Bidenit është e shqetësuar që Moderna nuk ka bërë më të qasshme vaksinën e saj për vendet e varfra.

Në lajm theksohet që administrata e Bidenit i ka ushtruar presion kompanisë Moderna që të rrisë prodhimin dhe për t’i dhënë licenca kompanive që prodhojnë jashtë vendit.

Në një deklaratë nga Moderna thuhet se kompania ka bërë investime për rritjen e prodhimit për sigurimin e një miliard dozave për vendet e varfra në vitin 2022 dhe se do të hapë një fabrikë për prodhimin e vaksinave në Afrikë. /aa