Muslimanët, grupi më i shënjestruar nga krimet e urrejtjes në Angli dhe Uells

Pothuajse gjysma e të gjitha viktimave të krimeve të urrejtjes në Angli dhe Uells në ciklin vjetor që përfundoi në mars 2021 ishin muslimanë, sipas statistikave të reja të publikuara nga Zyra e Brendshme e Britanisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Krimet e përgjithshme të urrejtjes u rritën me 9 për qind, pasi policia regjistroi 124.091 incidente midis marsit 2020 dhe marsit 2021, tregojnë të dhënat e reja.

Krimet e urrejtjes të motivuara nga përkatësia racore përbënin pjesën më të madhe të shifrës së përgjithshme, pasi u rritën me 12 për qind, apo në gjithsej 85.668 vepra penale.

Numri i krimeve të urrejtjes fetare ishte 6.377, ndërsa gjysma e tyre kanë synuar muslimanët.

“Në ciklin vjetor deri në mars 2021…pak më pak se gjysma (45 për qind) e veprave të krimit të urrejtjes fetare ishin kundër muslimanëve (2.703 vepra penale)”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Brendshme.

Grupi i dytë më i shënjestruar kanë qenë hebrenjtë me 22 për qind.

Muslimanët kanë qenë objektiv i sulmeve islamofobike në rritje që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit në SHBA dhe sulmet terroriste të 7 korrikut 2005 në Britani. /aa