Myftiu Tërnava priti në takim shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport

Naim ef. Tërnava dhe Michael Davenport

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti të premten në takim shefin e ri të misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin z. Michael Davenport.

Myftiu Tërnava fillimisht i dëshiroi mirëseardhje dhe njëherësh ia uroi postin si shef i ri i misionit të OSBE-së në Kosovë. Ai më pas njohu ambasadorin Davenport me punën dhe angazhimin permanent që po tregon BIK-u në përballje me pandeminë globale COVID-19, si dhe për bashkëpunimin që kanë pasur me institucionet shtetërore në luftimin e kësaj sëmundje ngjitëse, në mënyrë që të tejkalohet sa më lehtë dhe më me pak pasoja.

Myftiu Tërnava po ashtu çmoi dhe vlerësoi raportet shumë të mira që kanë me OSBE-në, sidomos në fushën e dialogut ndër fetar në Kosovë. “Për ne si Bashkësi Islame deri më tani kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me misionin e OSBE-së. Andaj në emër të gjithë nëpunësve të BIK-ut, ju dëshiroj sukses në misionin tuaj duke lutur Zotin t’ju falë shëndet dhe falënderoj misionin e OSBE-së për të gjithë ndihmën që ka dhënë dhe po jep për ndërtimin e Kosovës e veçanërisht bashkëpunimit që kemi pasur deri më tash.”

Nga ana e tij, ambasadori Michael Davenport, falënderoi Myftiun për pritjen dhe potencoi edhe njëherë rolin efikas që ka luajtur Myftiu Tërnava dhe BIK-u për bashkëjetesën dhe tolerancën, duke veçuar bashkëpunimin shumë të mirë me OSBE-në. Ai po ashtu tha se rruga e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve edhe më do të thellohet në të ardhmen.

Michael Davenport është shefi i tetë me radhë i Misionit të OSBE-së në Kosovë që nga themelimi në vitin 1999 dhe e pason ambasadorin Jan Braathu nga Norvegjia. Ambasadori Davenport është avokat i kualifikuar britanik dhe diplomat i rryer, ka përvojë në mbikëqyrjen e programeve në fushat e sundimit të ligjit, të drejtave të pakicave dhe qeverisjes së mirë. /bislame