NATO e shqetësuar për “retorikën nxitëse” në Republika Srpska

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur mbështetjen e bllokut për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës, duke theksuar “shqetësim serioz” për retorikën nxitëse në Republika Srpska, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Strukturat e unifikuara të Bosnjë e Hercegovinës janë të rëndësishme për stabilitetin e vendit. Në veçanti Forcat e Armatosura, një nga institucionet më të forta multi-etnike të vendit”, tha Stoltenberg në selinë e NATO-s në Bruksel.

Duke folur pas një konference të përbashkët për media me kryeministrin malazez, Zdravko Krivokapiç, shefi i NATO-s theksoi përkushtimin e aleancës për “dialogun e fuqishëm politik dhe bashkëpunimin praktik me Bosnjë e Hercegovinën”.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet reformuese të vendit. Për të mirën e popullit të tij”, tha Stoltenberg, duke shtuar se aleanca do të vazhdojë “të ndërtojë stabilitet, siguri dhe bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor”.

Ai po ashtu njoftoi se në takimin me Krivokapiç trajtuan edhe “mjedisin aktual të sigurisë”.

“Ne vazhdojmë të shohim përqendrime të mëdha dhe të pazakonshme të forcave ruse pranë kufijve të Ukrainës. NATO mbetet vigjilente dhe ne po monitorojmë situatën nga afër”, theksoi Stoltenberg.

Shefi i NATO-s po ashtu i bëri thirrje Rusisë që të “ndalojë provokimet e saj të de-përshkallëzimit dhe të jetë transparente në lidhje me aktivitetet e saj ushtarake”. /aa