NATO: Mund t’i trajtojmë shqetësimet e ngritura nga Turqia lidhur me Suedinë dhe Finlandën

“Jam i sigurt se ne mund t‘i trajtojmë shqetësimet e ngritura nga Turqia (për pranimin e Suedisë dhe Finlandës) në një mënyrë që të mos vonojë procesin e anëtarësimit”, tha kreu i NATO-s, Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se “Jam i sigurt se ne mund t‘i trajtojmë shqetësimet e ngritura nga Turqia (për pranimin e Suedisë dhe Finlandës) në një mënyrë që të mos vonojë procesin e anëtarësimit”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit joformal të ministrave të Jashtëm të NATO-s i cili mbahet në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, Stoltenberg foli në një konferencë të përbashkët për media me ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Lidhur me aplikimet e mundshme për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë, Stoltenberg deklaroi: “U takon atyre të vendosin nëse duan apo jo t’i bashkohen NATO-s. Do të respektojmë vendimet që do të marrin, sepse të gjitha kombet sovrane kanë të drejtën të zgjedhin rrugën e tyre. Finlanda dhe Suedia janë partnerët më të afërt të NATO-s. Nëse vendosin të aplikojnë, ky do të jetë një moment historik. Anëtarësimi i tyre në NATO do të rrisë sigurinë tonë të përbashkët dhe do të tregojë se dyert e NATO-s janë të hapura dhe se agresiviteti nuk ka dobi”.

Në lidhje me shqetësimet e Turqisë për çështjen e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës, Stoltenberg tha: “Turqia shprehu disa shqetësime të saj dhe siç bëjmë gjithmonë në NATO, ne ulemi në tryezë kur ka shqetësime. Jam i bindur se mund të gjejmë një bazë dhe konsensus të përbashkët se si të veprojmë në çështjen e anëtarësimit”.

Pasi shpjegoi se në kuadër të takimit ka biseduar me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, Stoltenberg tha: “Shpresoj se mund të përparojmë në mënyrë të shpejtë nëse Finlanda dhe Suedia aplikojnë për anëtarësim. Turqia thekson qartë se qëllimi i saj nuk është të pengojë anëtarësimin. Për këtë arsye jam i sigurt se ne mund t’i trajtojmë shqetësimet e ngritura nga Turqia në një mënyrë që të mos vonojë procesin e anëtarësimit”.

Stoltenberg potencoi se Suedia dhe Finlanda kanë cilësitë e nevojshme për anëtarësim në NATO dhe se janë dy aleatët më të afërt të NATO-s.

Kreu i NATO-s bëri të ditur se Rusia është tërhequr nga zonat përreth Kharkivit, se nuk ka mundur të përparojë sulmin e saj në Donbas, nuk ka arritur objektivat e saj strategjike dhe se Ukraina do të fitojë luftën. /aa