NATO refuzon kërkesën ruse për t’u tërhequr nga Bullgaria dhe Romania

NATO hodhi poshtë kërkesën e Rusisë për të tërhequr trupat e saj nga Bullgaria dhe Rumania, transmeton Anadolu Agency (AA).

“NATO nuk do të heqë dorë nga aftësia jonë për të mbrojtur njëri-tjetrin, përfshirë praninë e trupave në pjesën lindore të Aleancës”, tha zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, në një deklaratë në reagim ndaj komenteve të ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov.

Në një deklaratë më herët, Lavrov shpjegoi se propozimet ruse për marrëveshjen e sigurisë evropiane kanë të bëjnë “me tërheqjen e trupave të huaja, pajisjeve dhe armëve, si dhe për hapa të tjerë që synojnë rivendosjen e konfigurimit të vitit 1997 të atyre vendeve që nuk ishin anëtarë të NATO-s në atë kohë dhe kjo përfshin Bullgarinë dhe Rumaninë”.

Lungescu tha se blloku ushtarak nuk mund të pranojë kërkesat e Rusisë sepse ato bazohen në “idenë e sferave të ndikimit në Evropë” dhe “do të krijonin anëtarë të NATO-s të klasit të parë dhe të dytë”.

Ajo shtoi se NATO do t’i përgjigjet çdo përkeqësimi të mjedisit të sigurisë dhe do të vazhdojë të “vlerësojë nevojën për të përforcuar pjesën lindore të Aleancës sonë”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u takua me kryediplomatin rus Sergey Lavrov në Gjenevë të Zvicrës për të vazhduar bisedimet mbi dy projekt-traktatet që Moska ua dorëzoi muajin e kaluar SHBA-së dhe NATO-s pas negociatave të javës së kaluar që përfunduan pa përparim.

Në takimin e Këshillit NATO-Rusi më 12 janar, aleanca ushtarake hodhi poshtë tashmë kërkesën e Rusisë për të ndalur procesin e zgjerimit të NATO-s dhe për të tërhequr forcat nga krahët lindorë të NATO-s, duke i bërë thirrje Moskës që t’i japë fund retorikës kërcënuese dhe grumbullimit ushtarak brenda dhe përreth Ukrainës. /aa