Ballina Lajmet Rajon dhe Botë NATO zhvendos personelin e misionit në Irak drejt Evropës mes përshkallëzimit të...

NATO zhvendos personelin e misionit në Irak drejt Evropës mes përshkallëzimit të Lindjes së Mesme

NATO ka zhvendosur gjithë personelin nga misioni i saj në Irak drejt Evropës, njoftoi aleanca të premten, duke përmendur një ndryshim në qëndrimin operacional mes armiqësive aktuale në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, Shtabi i Përgjithshëm i Fuqive Aleate në Evropë konfirmoi se personeli i Misionit të NATO-s në Irak u zhvendos në mënyrë të sigurt jashtë Lindjes së Mesme, me stafin e fundit që u largua nga Iraku më 20 mars.

“Dua të falënderoj Republikën e Irakut dhe të gjithë aleatët që ndihmuan në zhvendosjen e sigurt të personelit të NATO-s nga Iraku”, tha gjenerali Alekus Grinkeuich, komandanti suprem aleat i NATO-s për Evropën.

Ai gjithashtu lavdëroi personelin e misionit për ruajtjen e operacioneve gjatë tranzicionit.

Pas zhvendosjes, Misioni i NATO-s në Irak do të vazhdojë punën e tij nga Komanda e Forcave të Përbashkëta në Napoli, Itali, thuhet në deklaratë.

Misioni mbetet një mision joluftarak i fokusuar në këshillimin dhe ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë së Irakut, theksohet më tej.

Në deklaratë thuhet tha se objektivi i misionit është të ndihmojë Irakun të zhvillojë forca sigurie të qëndrueshme, transparente dhe gjithëpërfshirëse, të afta për të ruajtur stabilitetin, për të luftuar terrorizmin dhe për të parandaluar rikthimin e grupit terrorist ISIS.

Që kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën sulme të përbashkëta ndaj Iranit më 28 shkurt, duke vrarë deri tani rreth 1.300 persona, përfshirë edhe udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Hamenei, armiqësitë janë përshkallëzuar.

Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane.

Exit mobile version