Ndalohet dhe lirohet aktivistja që hodhi vezë në muralin e Mlladiqit

Aktivistja për të drejtat e njeriut në Serbi, Aida Qoroviq, u ndalua të martën nga policia në Beograd, pasi hodhi vezë në një mural me imazhin e Ratko Mlladiqit, ish-komandant i ushtrisë serbe në Bosnje e Hercegovinë, i dënuar për gjenocid në Srebrenicë.

Pas disa orësh në mbajtje, Qoroviq u lirua.

Deri në publikimin e lajmit, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me arrestimin e saj.

Qoroviq, e njohur për publikun serb që nga fillimi i viteve 1990, u ndalua nga persona me rroba civile, që supozohet të jenë oficerë të policisë, së bashku me një grua tjetër, që u përpoq të protestonte në të njëjtën mënyrë.

Incidenti ndodhi pasi Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ndaloi një tubim të organizatës Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut në Serbi, e cila donte të shlyente muralin e Mlladiqit.

Të martën, një numër i madh i policëve në uniformë qëndroi në pjesën e qytetit ku ndodhet murali, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Ministria e Brendshme e Serbisë tha se policia nuk e mbron muralin, por “rendin dhe qetësinë publike”, si dhe “kontrollon ndalimin e tubimeve”.

“Për këtë qëllim, të gjithë personat po legjitimohen, pavarësisht nga qëndrimi i tyre ndaj muralit të gjeneralit Ratko Mlladiq”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.

Figura e Mlladiqit është pikturuar në fasadën e një ndërtese në Beograd një muaj pasi Gjykata në Hagë ka konfirmuar dënimin e tij të përjetshëm, më 8 qershor.
Si komandant i ushtrisë serbe në Bosnje e Hercegovinë, Mlladiq është dënuar për gjenocid në Srebrenicë, persekutim, krime kundër njerëzimit, shfarosje dhe krime të tjera lufte, të kryera gjatë luftës në Bosnje, nga viti 1992 deri më 1995. /rel