Ndalohet për 48 orë pronari i kompanisë që iu transferuan mbi 2 milionë euro nga thesari i shtetit

​Kadri Shala, pronar i kompanisë “LDA Group”, është ndaluar për 48 orë.

Pronari i kompanisë “LDA Group”, Kadri Shala, ku dyshohet se janë transferuar 2.1 milionë euro u vëtëdorëzua sot në polici. Pas intervistimit disa orësh në polici, prokurori ka marrë vendim për ndalimin e Kadri Shalës në kohëzgjatje prej 48 orësh.Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Mund të konfirmojmë se, me vendim të Prokurorit kompetent, personit të vetedorëzuar në Policinë e Kosovës iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, ka thënë Kelani për lajmi.net.

Ndryshe, më 20 tetor të këtij viti, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda, u arrestua nën dyshimin se përmes katër transaksioneve ka transferuar saktësisht 2,077,995.90 euro nga buxheti i shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group”.Në llogarinë e “LDA Group” fillimisht ishin transferuar 622 mijë euro, herën e dytë 375 mijë, pastaj 330 mijë dhe për herë të fundit 750 mijë euro.Hetimi për këtë vjedhje përfshin 40 persona, të cilët në forma të ndryshme dyshohet se janë bërë protagonistë të këtij skandali.Siç u raportua në medie, skandali i vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga buxheti i shtetit është planifikuar mbi një strategji që gjeti zbatim për 8 minuta, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimin ndaj të arrestuarit Labinot Gruda, Prokuroria ka treguar se në Ministrinë e Financave, Labinot Gruda, për 8 minuta kishte krijuar llogari fiktive që do të duhej të dukeshin si të ishin të punëtorëve të këtij dikasteri, e që do t’i mundësonin atij pastaj që kundërligjshëm t’i transferonte 2,077,995.90 euro në llogari të kompanisë “LDA Group”, pronë e Kadri dhe Valon Shalës.Për të arrestuarin e vetëm për këtë rast, zyrtarin e Thesarit, Labinot Gruda, Gjykata Themelore e Prishtinës të enjten ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.Për këtë rast, në kërkim është edhe përfaqësuesi i autorizuar i “LDA Group”, Valon Shala.