Ndihma për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri nga Kryqi i Kuq i Maqedonisë së Veriut arriti në 1 milion euro

Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut shënoi 78-vjetorin e themelimit me një ngjarje ku u arrit shuma prej 1 milion euro në ndihmë për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri, raporton Anadolu.

Në këtë aktivitet morën pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ambasadori i Republikës së Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, donatorë dhe vullnetarë të Kryqit të Kuq.

Aktiviteti nisi me një minutë heshtje në nder të të gjithë atyre që humbën jetën në tërmetet që goditën pjesën jugore të Turqisë më 6 shkurt.

Në fjalën e tij, kryeministri Kovaçevski dërgoi urime me rastin e jubileut, duke theksuar se edhe ai është një vullnetar i Kryqit të Kuq.

Kovaçevski përkujtoi se përveç qytetarëve dhe kompanive, edhe Qeveria ka ndarë edhe rreth 100 mijë euro ndihmë për viktimat e tërmetit katastrofik, duke shtuar se disa institucione janë ngarkuar për dërgimin e ekipeve me pajisje përkatëse, për të cilat ka shprehur mirënjohjen e tij.

“Tani ne vazhdojmë të tregojmë solidaritetin tonë në vepër përmes ndihmave që ofrojmë për zonat e prekura në Turqi dhe Siri. Është lajm i mirë që deri më tani janë mbledhur gjithsej mbi 960 mijë euro ndihma për zonat e prekura. Qëllimi është të arrijmë shifrën prej 1 milion euro”, tha Kovaçevski.

Ambasadori Sekizkök në fjalimin e tij rikujtoi se Turqia e cila gjendet në një zonë tërmeti ku kalojnë 3 vija të mëdha të thyerjes, më 6 shkurt ka përjetuar edhe një herë fuqinë e parezistueshme të natyrës.

Ai tha se Türkiye këtë herë ka dëshmuar fatkeqësinë më të madhe natyrore në historinë e saj.

“Ju miqtë tanë të dashur, menjëherë u mobilizuar në këtë periudhë të rëndë dhe të dhimbshme të Turqisë. Të bashkuar në një zemër, nxituat në ndihmën e të rinjve e të vjetërve, të gjithë atyre që mbijetuan në rajonin e tërmetit së bashku me institucionet publike, organizatat joqeveritare, ndërmarrjet ekonomike, institucionet arsimore. Nuk mund t’i rikthejmë jetët e humbura. Por, do të punojmë me gjithë fuqinë për të shëruar plagët e kësaj fatkeqësie natyrore. Do të rindërtojmë qytetet, shkollat tona që u shkatërruan”, theksoi ai.

Sipas tij, me solidaritetin e fuqishëm të atyre që dhanë mbështetjen, njëkohësisht është ndarë edhe shpresa e popullit turk për rindërtimin, rimëkëmbjen e rajonit të tërmetit. Ambasadori Sekizkök tha se populli turk do të kujtojë me mirënjohje dashurinë dhe solidaritetin e atyre që dhanë mbështetje.

Duke uruar Kryqin e Kuq të Maqedonisë së Veriut për iniciativën në ngjarjen e sotme dhe për përvjetorin e 78-të të themelimit, Sekizkök falënderoi në emër të qeverisë dhe popullit turk të gjithë ata që ofruan mbështetje.

Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut, Sait Saiti, në fjalën e tij tha se përvjetorët shërbejnë për të shprehur mirënjohje dhe për të kujtuar atë që është arritur.

Ai falënderoi të gjithë donatorët dhe vullnetarët për besimin dhe kontributin e tyre.

“Qytetarët tanë në ditët e kaluara kanë treguar dhe dëshmuar humanizëm në vepër, duke shfaqur një solidaritet dhe dhembshuri të madhe me pikëllimin dhe pafuqinë përballë forcës së natyrës në Republikën e Turqisë dhe Sirinë. Ju falënderojmë që na keni dhënë mundësinë ta artikulojmë atë humanizëm dhe solidaritet dhe në emrin tuaj t’ua përcjellim atë popujve vëllezër të Turqisë dhe Sirisë”, tha Saiti.

Deri në përfundimin e fjalimeve zyrtare, për të prekurit nga tërmeti ishin mbledhur rreth 960 mijë euro nga donacionet përmes thirrjeve në numrin 143-400 dhe donacioneve nga kompanitë. Një donator anonim i pranishëm në këtë ngjarje i tha Sekretarit të Përgjithshëm të Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut, Sait Saiti, se do të mbulojë shumën e mbetur për të arritur qëllimin e dëshiruar, donacione në vlerë prej 1 milion euro.

Përveç Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut, për mbledhjen e ndihmave financiare dhe materiale janë mobilizuar edhe organizata të tjera humanitare nga vendi.