Siç kemi raportuar, Izraeli ka bllokuar hyrjen e të gjitha ndihmave, përfshirë ushqimin, karburantin dhe ilaçet, në Rripin e Gazës për gati 60 ditë.
Kjo ka bërë që 2.3 milionë palestinezë të mbijetojnë kryesisht me perime të konservuara, oriz, makarona dhe thjerrëza. Mishi, qumështi, djathi dhe frutat janë zhdukur, ndërsa buka dhe vezët janë bërë të rralla.
Çmimet për perimet dhe artikujt e tjerë të mbetur në treg kanë arritur nivele të papërballueshme për shumicën e njerëzve.
Familjet palestineze thonë se po luftojnë për të ushqyer fëmijët e tyre.
Të premten, familja 11-anëtarëshe e Mariam al-Najjarit, përfshirë gjashtë fëmijë, hëngri vetëm një vakt – oriz me bizele dhe karota të konservuara.
“Tek ne, e premtja është e shenjtë,” i tha al-Najjari agjencisë Associated Press, duke përshkruar zakonin e vjetër të ngrënies së darkave të pasura me mish dhe perime të mbushura. “Tani hamë bizele dhe oriz. Kurrë nuk kemi ngrënë bizele të konservuara para luftës – vetëm tani, në këtë luftë që na ka shkatërruar jetën.”
Ajo tha se, kur nuk gjen më perime të konservuara, merr thjerrëza ose makarona nga një kuzhinë bamirësie. Nëse gjen bukë ose sheqer, u jep fëmijëve bukë të zhytur në çaj për të larguar urinë.
“Ne nuk kemi më asgjë që të na sigurojë proteina ose ushqyes,” tha ajo.
E dëshpëruar për të ardhmen, al-Najjar shtoi: “Ndoshta do të hamë rërë.”
