Ndotjes së ajrit në Prishtinë po i kontribuojnë në masë të madhe ekonomitë familjare

Kryeqyteti i Kosovës është duke u përballur me ajër shumë të ndotur ditëve të fundit, dhe kjo gjë po përcillet tash e disa vjet.

Ndotja vjen kryesisht nga Termocentralet Kosova A dhe Kosova B, por edhe nga shumë faktorë tjerë, siç janë veturat e vjetra dizel që janë në numër të madh në vendin tonë dhe nga ekonomitë familjare që çështjen e ngrohjes e kanë zgjidhur me thëngjill për shkak të çmimit të tij të lirë.

Kjo dëshmohet edhe në një video dërguar në Koha.net, ku shihet një kamion i cili furnizon disa ndërtesa në Prishtinë, gjegjësisht në lagjen “Mati”, me thëngjill me qëllim të ngrohjes së banorëve që jetojnë aty.

Banorët e atjeshëm ankohen për këtë gjendje, duke thënë se jetesa në atë lagje po bëhet vazhdimisht e më e rëndë pasi ndërtesa të caktuara vazhdimisht ngrohen me thëngjill.

“Nuk ke pse del në ballkon. S’ke pe vë rroba për t’i tharë jashtë gjatë stinës së dimrit pasi ato i merr më të papastra se kur i ke futur për t’i pastruar”, ka thënë për Koha.net Blerta, banore e kësaj lagjeje.

Një tjetër banore e kësaj lagjeje, nënë e 2 fëmijëve, thotë se rritja e fëmijëve në këtë pjesë të qytetit po vështirësohet, e madje ajo me familje po e mendon edhe zhvendosjen në ndonjë zonë jashtë qytetit.

“Fëmijët janë të vegjël dhe, në bazë të këshillave të institucioneve gjegjëse për cilësinë e ajrit, e kam kuptuar se ky ajër është shumë i ndotur dhe përmban disa grimca të rrezikshme për shëndetin tonë, sidomos të fëmijëve tanë. Po e mendojmë ikjen nga kjo pjesë e qytetit, ndoshta edhe nga qyteti krejt. Me rëndësi të kemi cilësinë e mirë të ajrit dhe që fëmijët tanë të mos jenë të rrezikuar edhe nga frymëmarrja, pasi edhe ashtu po rrezikohen nga shumë faktorë tjerë”, tha ajo për Koha.net.

Ilir Morina, drejtor i Agjencisë për Mbrojtje të Mjedisit në Kosovë, ka thënë se do të padisë të gjithë ata që alarmojnë për ndotje të ajrit, pasi sipas tij ndotje ka, por jo në gjendje alarmante.

Në “Express” të KTV-së, Morina kishte reaguar në fillim të këtij muaji ndaj raportimeve se ajri në Kosovë është i dëmshëm në gjendje alarmante, duke thënë se për gjendjen e ajrit duhet të raportojë vetëm institucioni që ai udhëheq.

“Me thënë 300 herë e ke ajrin më të ndotur, i bie që jemi numër një në botë, bile për diçka të parët. Është e tmerrshme çka po bëjnë nëpër Facebook disa njerëz madje edhe me tituj shkence. I kritikoj dhe nëse vazhdojnë, Agjencia e Mjedisit si organi i vetëm kompetent me ligj, do t’i padisë me radhë”, ka thënë ai.

Një iniciativë qytetare ka nisur të shpërndahet në rrjetin social Facebook nga Lekë Musa e Berat Rukiqi, të cilët po kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që cilësinë e ajrit ta kenë prioritet.

“Ideja e kësaj letre dhe kërkese, ka të bëjë me të vendosurit apo riorientimit e prioriteteve qeveritare në çështjet esenciale të ekzistencës dhe jetës në Kosovë! Kërkesa jonë është që të bëhet prioritet parësor përmirësimi i cilësisë së ajrit në tërë Kosovën, pa dallim fshati apo qyteti. Liria dhe demokracia e fituar që 17 vite nuk ka kurrfarë kuptimi në rast se këto përmirësime nuk ndihen nga qytetarët e vendit. Çfarë i duhet këtyre qytetarëve liria dhe demokracia kur ajri në të cilin jetojmë na vret çdo ditë! Si do të gjykohemi prej gjeneratave të ardhshme në Kosovë për helmimin që ja u bëjmë ne si gjeneratë që e kemi përgjegjësinë për udhëheqjen e vendit sot”, thuhet në këtë letër të Musës e Rukiqit.

Ata kërkojnë, mes tjerash, themelimin e një komisioni të përbashkët për të identifikuar të gjitha masat e domosdoshme për të përmirësuar cilësinë e ajrit në Prishtinë dhe Kosovë, si dhe rialokimin e resurseve për të siguruar të gjitha mjetet e nevojshme për investuar në të gjitha elementet e planit i cili do të dilte nga një ekspertizë e mbikëqyrur nga komisioni i lartcekur.

“Me këtë rast do të duhej zhvilluar një plan dinamik i cili në mënyrë të qartë përcakton kohën se kur do të realizohej ky plan mbi pastrimin e ajrin në Prishtinë dhe bërjen e saj në një qytet ku mund të jetohet. Ne si qytetarë të këtij vendi mendojmë se prioritetet e politikës do të duhej të jenë të orientuara fillimisht në çështjet bazike, siç janë cilësia e ajrit, mjedisi ku jetojmë, furnizimi me ujë e energji si dhe shëndetësia dhe arsimi. Prandaj, pranojeni këtë si rekomandim tonin në procesin e formulimit të prioriteteve qeveritare”, thonë ata.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, institucion i cili ka për obligim të informojë popullatën për shkaqet e ndotjes së ajrit i cili mund të kërcënojë shëndetin, ka njoftuar se qyteti i Prishtinës është zhytur në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosole, gjë që vërehet gjithandej.

Gjithashtu, kujtojmë se mbrëmë cilësia e ajrit në Prishtinë ka arritur vlerën e PQI-së në 431, vlerë e cila cilësohet si e “rrezikshme”, ndërsa aktualisht, kur ora po shënon vetëm 10:30 të mëngjesit, cilësia e ajrit në Prishtinë është “shumë e pashëndetshme” duke arritur në vlerat 254 PQI/koha.net.