Ballina Auto Në Indi do të prodhohet vetura elektrike, që me vetëm një mbushje...

Në Indi do të prodhohet vetura elektrike, që me vetëm një mbushje të baterisë mund të përshkojë 500 kilometra

Një kompani e re nga India – Ola Electric Mobility, e cila nga viti 2017 prodhon skuterë elektrikë, sot ka paralajmëruar prodhimin e veturës më moderne elektrike në Indi që do të fillojë në vitin 2024.

Sipas Bavish Argaval, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i Ola Eletric, vetura e re elektrike ka linja sportive – kulmin nga xhami dhe kompjuterin më të avancuar me opsione për asistim në vozitje, transmeton Telegrafi.

Vetura elektrike indiane ka një rreze të autonomisë prej 500 kilometrave – që nënkupton se me vetëm një mbushje të baterisë mund t’i përshkojë këto kilometra.

Shpejtësinë nga 0-100 kilometra në orë e arrin për vetëm katër sekonda, e shumë detaje tjera nuk janë bërë të ditura.

Mediat indiane raportojnë se madhësia e veturës do të jetë e ngjashme me atë të një “hatchbacku”, e fakti se prodhimi do të fillojë pas dy viteve dhe se akoma nuk dihet për performansat, tregon më së miri se vetura është akoma në fazën e zhvillimit.

Kompania gjithashtu ka prezantuar skuterin e ri S1, dhe ka paralajmëruar prodhimin e baterive, që do të mund të shërbenin për ata pronarë të skuterëve që u është shpenzuar bateria.

Veturat elektrike, skuterët dhe bateritë do të prodhohen në fabrikën më moderne në Indi të quajtur “fabrika e të ardhmes”, thuhet në ueb-faqen e kësaj kompanie.

Përveç se do të punësohen rreth 10 mijë gra që do të jenë pothuajse 100 për qind fuqia punëtore, fabrika do të ketë në dispozicion 3 mijë robotë të cilët do t’i kontrollojë inteligjenca artificiale.

Exit mobile version