Ballina Lajmet Kosovë Në ndërtimtari, markete dhe sigurime fizike po shkelet Ligji i Punës

Në ndërtimtari, markete dhe sigurime fizike po shkelet Ligji i Punës

Për pak ditë humbën jetën dy punëtorë në Kosovë. Një në autostradën Prishtinë-Shkup, që punonte në Bechtel Enka dhe tjetri në Llaushë të Skenderajt, që ishte duke gërmuar një kanal. Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, në një intervistë për lajmi.net tregon se në ndërtimtari, markete dhe sigurime fizike shkelet Ligji i Punës. Ibrahimi thotë se gjendja më shqetësuese është në këto tri veprimtari, por sipas tij, ka rënie të vdekjeve në vendin e punës. I pari i Inspektoratit të Punës ka treguar edhe për gjobat që janë dhënë, inspektimet që janë bërë dhe për shkaqet që vdesin punëtorët në punë.

Nga: Elhami Ismajli

Lajmi.net: A po i hetoni vdekjet e fundit në autostradë?

Basri Ibrahimi: Janë dy vdekje që kanë ndodhur, dhe jemi shumë të shqetësuar. Natyrisht me çdo vdekje jemi të shqetësuar dhe ju dërgojmë ngushëllime familjeve. Rasti në autostradë, një citen e ujit e ka aksidentuar një punëtor në vendin e punës dhe fatkeqësisht është me fatalitet. Nuk kemi ende raport zyrtar, e presim raportin ta shohim shkaktarin kryesor. Sepse jo gjithnjë është punëdhënësi, por kemi raste edhe pakujdesi e punëtorëve. Në Llaush derisa e ka hapur një kanal të tubacionit është shembur kanali dhe e ka mbytur një 24 vjeçar. Edhe atje jemi duke bërë raportin se si ka ndodhur dhe në bazë të gjeturave do të marrim veprime.

Lajmi.net: Sa është efikase Prokuroria në zgjedhjen e lëndëve që ju si inspektorat i dërgoni?

Basri Ibrahimi: Ata e shikojnë a ka vepër penale, apo jo. Zakonisht ne i dërgojmë prokurorëve raporte dhe në bazë të atyre marrin vendime. Inspektorati merret ekskluzivisht me sigurinë e punës dhe përmbushjen e detyrave të punëdhënësit ndaj punëtorit.

Lajmi.net: Sa është siguria në punë?

Basri Ibrahimi: Ende nuk jemi të kënaqur, sepse derisa ndodhë edhe një vdekje, për ne siguria nuk është e mjaftueshme. Këtë vit i kemi gjithsej 12 ose 13 raste të vdekjeve në vendin e punës, dhe diku 7 ose 8 janë në ndërtimtari. Krahasim me vitin e kaluar, ka rënie, por prapë se prapë ne nuk jemi të kënaqur me këto vdekje. Këtë vit fatkeqësisht ka pasur vdekje në vendin e punës edhe në KEDS. Ka pasur në hortikulturë. Në kompani ndërtimore nuk është siguria e duhur, duhet të bëhet edhe shumë përpjekje të ndryshohet kjo gjendje. Për çdo vit e kemi kohën kur inspektojmë në ndërtimtari. Edhe këtë vit e kemi pasur vetëm ndërtimtarin, mbi 1800 inspektime dhe 66 gjoba janë shqiptuar, janë mbi 140 gjoba në të gjithë sektorët.

Lajmi.net: Ku është gjendja më shqetësuese, në cilin sektor?

Basri Ibrahimi: Në ndërtimtari është gjendja më shqetësuese, edhe pse nëse i shohim në përqindje po dalin edhe në sektorët tjerë. Besoj që me angazhimin tonë po bëhet vetëdijesimin. Po ashtu kemi problem edhe me vetëdijesimin e punëtorëve, sepse duhet të kenë kujdes të shtuar.

Lajmi.net: A keni inspektorë mjaftueshëm?

Basri Ibrahimi: Numri i inspektorëve është i vogël. Është debatuar edhe në Parlament dhe është konstatuar se numri është i vogël. Edhe në raportin e MSA-së, e jep një vërejtje që numri i inspektorëve është i vogël. Besoj që këtë vit, ministri i ri, e ka një këmbëngulje që ta ka inspektoratin në fokus, por duhet të jem i sinqertë se nuk kam pasur pengesa nga asnjë ministër, por ndoshta nuk ia kanë dhënë trajtimin e merituar. Na kemi nevojë edhe për mbështetje tjera, sepse ka raste që inspektorët dalin në këmbë shpesh. Ministri aktual po e tregon një përkushtim më të madh për ta mbështetur inspektoratin dhe gjithsesi edhe nga ne ka kërkuar punë më të madhe, por natyrisht na ka premtuar që do ta shfrytëzojë autoritetin për të krijuar kushte më të mirë për inspektoratin e punës.

Lajmi.net: Pavarësisht që nuk është në kompetencën tuaj, a është dënuar kush për këto vdekje në punë që kanë ndodhur?

Basri Ibrahimi: Unë jam institucionalit, dhe i besoj institucionit, dhe unë besoj që gjykata e ka kryer punën. Unë si njeri besoj në institucione dhe besoj që ata e kanë kryer punën e vet. Nuk dua t’i komentojë vendimet e gjykatave.

Lajmi.net: Çka ka ndodhur me inspektorin që u arrestua?

Basri Ibrahimi: Prej 7 viteve që jam në këtë pozitë, një rast ka ndodhë, ne e kemi nxjerr vendimin dhe e kemi pezulluar nga puna, por presim procedurat dhe do ta shohim cili është epilogu. Edhe në këtë rast po e shfrytëzoj hapësirën që po ma jep mediumi juaj, i bëj ftes të gjithë njerëzve që kanë punë me inspektorë, nëse keqpërdor apo abuzon me detyrën të drejtohen në organet përgjegjëse.

Lajmi.net: Punëtorët e marketeve të mëdha në Kosovë kanë shpesh ankesa për shkeljen e të drejtave. Si është gjendja?

Basri Ibrahimi: Është e vërtet që marektet, kompanitë e sigurimeve fizike dhe kompanitë ndërtimore, janë fusha të cilat kanë shkelje ligjore më të mëdha. Ju shkelen të drejtat dhe absolutisht kjo nuk diskutohet. I kemi gjetur 900 punëtorë pa kontrata dhe kemi evidentuar shumë shkelje, punë jashtë orarit, mos respektim i pushimit javor e vjetor. Por në qoftë se bëjmë krahasimin këtë vit kemi gjetur 900 punëtorë, vitin paraprak 1300. Po vjen duke rënë numri. Po ashtu kjo tregon se është rritur numri i të lajmëruarve në Trust. Vitin e kaluar kemi pasur diku rreth 295, tash i kemi 317 mijë punëtorë që janë të regjistruar, që besoj se është ndikimi i inspektoratit.

Lajmi.net: A keni gjobitur ndonjë market që nuk i ka respektuar të drejtat e punëtorëve?

Basri Ibrahimi: Gjithsesi ka markete, nuk i kemi me numër sepse nuk e kemi nda databazën. Këtë radhe kemi nda vetëm ndërtimtarin sepse është në fokus, dhe kam dashur ta kem informatën e saktë çka po bëhet në ndërtimtari. Të gjitha janë të ndara inspektimet, por ende nuk kemi arritur për shkak të mungesës së databazës.

Lajmi.net: Ka pas raportime në media që shumë punëtorë nuk paguhen nga punëdhënësi dhe largohen nga puna pa e gëzuar të drejtën e tyre. Si ta realizojnë të drejtën këta punëtorë që nuk kanë kontrata?

Basri Ibrahimi: Edhe pa kontratë të punës mund ta realizojnë të drejtën e tyre. Ata punëtorë mund të dëshmojnë se kanë qenë në atë vend punës, sepse ka mënyra indirekte që dëshmohet se ka qenë në atë vend pune. Kemi shumë raste që kanë fituar. Inspektorati i trajton të tërësi punëtorët, dhe i obligojmë kompanitë që të pajisen punëtorët me kontrata.

Lajmi.net: Sa janë gjobat për kompanitë që nuk i respektojnë ligjet?

Basri Ibrahimi: Deri në 10 mijë euro është një gjobë, dhe ju sigurojë se nuk mund të jetë askush pa u gjobitur nëse bën shkelje, pavarësisht që se kemi forcën ë gjykatës, ne kemi të drejtën e gjobës.

Lajmi.net: A mund të largohet dikush nga puna pa paralajmërim?

Basri Ibrahimi: Shpesh e kam përmendur këtë edhe në takime me bizneseve, se punëtorin nuk mund ta largoni nga puna pa i respektuar ligjet e punës. Janë masat që merren dhe procedurat që duhet të zhvillohen. Çdo kujt që i është shkelur e drejta Inspektorati i Punës merr masa, sepse ka rregulla.

Lajmi.net: 90 punëtorë të KEDS-it e fituan rastin për tu kthyer në punë. Ata u larguan përnjëherë nga puna. A mund të bëjë largime kolektive nga puna dikush pa pasur arsyetime ligjore?

Basri Ibrahimi: Në momentin kur bëhet veprime jo ligjore, do të merren masa, në rastin e KEDS-it punëtorët kanë pasur të drejt. Ka procedura kur mund të largohen nga puna 90 punëtorë, por jo në rastin e KEDS-it, sepse kjo kompani njëkohësisht ka larguar punëtorë dhe në anën tjetër ka marr të ri në punë. Ka procedura për largimin e njerëzve nga puna, duhet një paralajmërim, sistematizim, duhet të ketë rregulla, dhe brenda një viti nuk mund të pranohet asnjë punëtorë i jashtëm. Gjë të cilën KEDS-i se ka bërë, ka larguar njerëz nga puna dhe në të njëjtën kohë ka pranuar në punë. Asnjë kompani nuk mund të merr punëtorë të tjerë për nevoja të asaj kompanie, në qoftë se do të merr punëtorë të ri, do t’i përzgjedh nga ata që i ka larguar dhe ata me i sistemi, jo me marr punëtorë të ri

Exit mobile version