Ballina Autorë Opinione Në “Ndjekje të të qenit të bardhë”: nacionalizmi iranian dhe ai shqiptar...

Në “Ndjekje të të qenit të bardhë”: nacionalizmi iranian dhe ai shqiptar si arratisje nga vetja

Ilirjan Shehu

Kur kompleksi i inferioritetit të shndërrohet në armikun më të madh të vetes

Nga Ilirjan Shehu

Në shkrimin e tij “Në ndjekje të të qenit të bardhë”, studiuesi i nacionalizmit iranian Reza Zia-Ibrahimi tregon se arsyeja pse monarkistët iranianë mbështesin Izraelin dhe gjenocidin në Gaza ka të bëjë me internalizimin e teorive raciste dhe islamofobe evropiane të shekullit XIX.

Për shkak të humbjeve që Irani pësoi ndaj rusëve dhe anglezëve, elitat iraniane humbën ndjenjën e sigurisë dhe zhvilluan një ndjesi inferioriteti, veçanërisht ndaj evropianëve. Megjithëse konsideroheshin pjesë e racës ariane, iranianët shiheshin si një pjesë e degraduar e saj.

Që atëherë, elitat iraniane – pavarësisht se vendi gjeografikisht ndodhet në Lindjen e Mesme dhe pavarësisht lidhjeve historike, kulturore, politike dhe ekonomike me Azinë Qendrore – janë munduar të ndërtojnë një histori që i tejkalon këto realitete, vetëm që të përfshihen në “klubin e të bardhëve”.

Kjo ishte veçanërisht e theksuar gjatë sundimit brutal të shahut, i cili u instalua nga britanikët dhe amerikanët pas grushtit të shtetit që ata organizuan për rrëzimin nga pushteti të kryeministrit Mohammad Mosaddegh, i cili ishte zgjedhur në mënyrë demokratike.

Shahu ishte gjithashtu një mbështetës dhe aleat i zjarrtë i Izraelit, të cilin e shihte si një zgjatim të Perëndimit dhe si një shembull që ashtu si hebrenjtë dikur të persekutuar edhe iranianët mund të përfshiheshin në klubin e të bardhëve.

Reza Zia-Ibrahimi e quan këtë fenomen “nacionalizëm dislokues”: dëshira për t’i ikur realitetit dhe identitetit historik, gjeografik dhe kulturor për shkak të ndjenjës së inferioritetit dhe frikës nga dhuna.

Shqipëria ka një histori shumë të ngjashme. Elitat nacionaliste shqiptare, të tronditura nga rënia e Perandoria Osmane – pjesë kryesore e së cilës kishin qenë për shekuj – duke iu përgjigjur jo vetëm dhunës ushtarake, por edhe asaj ideologjike dhe racore që vinte nga Evropa, u munduan të largoheshin prej saj jo vetëm duke themeluar Shqipërinë si shtet më vete, por edhe duke u përpjekur të mohojnë lidhjet historike, gjeografike, ekonomike dhe kulturore. Inferioriteti që ata ndjenin, fatkeqësisht, është bërë pjesë e rrënjosur e një pjese të madhe të elitës, madje edhe në Kosovë dhe Maqedoni, dy vende që nuk kanë vuajtur të njëjtën dhunë zhveshëse nga komunizmi si Shqipëria.

Ky inferioritet dhe dëshirë për t’u bërë pjesë e klubit të bardhë të zhvilluar – jo duke përmirësuar aftësitë politike, ekonomike dhe kulturore, por duke u identifikuar me dhunën racore dhe ideologjike – është pjesë e elitave tona edhe sot. Ai reflektohet në shumë fusha, që nga mënyra se si shkruhet dhe mësohet historia, si trajtohen kultura popullore dhe tradita, si shihen lidhjet historike ekonomike, kulturore apo fetare, e deri te urrejtja e hapur që shpesh shprehet në politikën e përditshme dhe në media.

Kjo është një arsye pse shpesh ndiej edhe një lloj keqardhjeje për shumë figura – profesorë universitetesh, historianë, figura të medias dhe politikanë – të cilët, për shkak të inferioritetit që ndiejnë kërkojnë të arratisen nga vetja. Urrejtja që shprehin, shtrembërimi i historisë, islamofobia, dhuna dhe përçarjet që nxisin sigurisht duhen dënuar. Por, nga ana tjetër, ato duhen kuptuar edhe në kontekstin e duhur dhe ndoshta ndonjëherë edhe parë si sjellje të njerëzve që janë vetë viktima të një procesi historik dhe psikologjik.

Në këtë kontekst duhen parë edhe lëvizjet e fundit për gjoja kthim në fenë e të parëve dhe të tjera budallallëqe intelektuale (e ndonjëherë edhe diabolike, për shkak të forcave që u qëndrojnë pas).

Sipas mendimit tim dhe siç tregojnë edhe studimet e Reza Zia-Ibrahimi dhe shumë të tjerëve, kjo është shumë e dëmshme për Shqipërinë dhe shqiptarët (libri Arratisje nga Lindja i profesor Enis Sulstarova mbetet një kryevepër sa i përket studimeve shumë të pakta shqiptare në këtë fushë).

Duke buruar nga ndjenja e inferioritetit dhe dëshira e përhershme për t’u parë domosdoshmërisht si pjesë e klubit të bardhë, ky lloj identiteti shkakton dëme të pallogaritshme psikologjike individuale të cilat përkthehen në një lloj psikoze shoqërore. Kjo psikoze reflektohet në mënyrën se si sillemi ndaj njëri-tjetrit, në institucionet që krijojmë (ku asgjë nuk mund të jetë autentike dhe gjithçka duhet të jetë e importuar) në ekonominë që ndërtojmë dhe në politikën që bëjmë brenda dhe jashtë vendit.

Individë me ndjenja nacionaliste inferiore, të cilët shpesh janë në arrati edhe nga vetja, krijojnë konflikt kudo dhe në gjithçka. Sigurisht, kjo nuk është një diagnozë e përgjithshme e problemeve të shoqërisë shqiptare, por mendoj se është një pjesë e rëndësishme e tyre.

Exit mobile version