Në rrugën Prishtinë – Gjilan, sulmohet me armë zjarri automjeti që po transportonte paratë e bankave

Një grabitje e armatosur ka ndodhur pasditen e sotme në magjistralen Gjilan – Prishtinë, më saktësisht në fshatin Parallovë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani konfirmoi për Telegrafin se persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të një kombi, i cili ishte duke transportuar para të bankave.

“Ju njoftojmë se më datën 18.11.2021, rreth orës 15:25, kemi pranuar një informate se në fshatin Parallovë, magjistralen Gjilan-Prishtinë, persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të një kombi i një kompanie, i cili ka qenë duke transportuar para të bankave”, deklaroi ai.

Hashani bëri të ditur se Policia e Kosovës njësitet relevante kanë dalë në vend të ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin.