Në shtetin australian Victoria rastet me COVID-19 rriten ndërsa protestat vazhdojnë

Duke mos u shqetësuar nga një rritje alarmante e të prekurve nga koronavirusi (COVID-19), apo qindra arrestimeve gjatë ditëve të fundit, demonstratat kundër vaksinimit të detyruar në shtetin australian Victoria vazhduan edhe sot, transmeton Anadolu Agency (AA).

Protestat kanë shpërthyer gjatë gjithë javës pasi qeveria e Victorias mbylli industrinë e ndërtimit për dy javë dhe e bëri të detyrueshëm vaksinimin e punëtorëve të ndërtimit.

Protestuesit dolën në rrugët e Melburnit, Ballarat, Geelong, Surf Coast Shire dhe Mitchell Shire, duke u përballur me një prani të shtuar të forcave policore në shumicën e zonave.

Qindra persona u mblodhën në Shenjtërinë e Kujtimit, memoriali i luftës në Melburn, duke brohoritur mesazhe kundër kryeministrit të Victoria-s, Daniel Andrews, një ditë pasi 215 persona u arrestuan pas një konflikti disa orësh në vend.

GJithashtu, të paktën 62 persona u arrestuan të martën pasi përleshjet midis protestuesve dhe policisë në qytetin e dytë më të madh të Australisë lanë 4 persona të plagosur, përfshirë një gazetar.

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, i cili është në SHBA, i quajti protestat “të turpshme” dhe “mosrespektuese”.

“Sjellja e tyre ishte e turpshme. Kjo ishte pa respekt dhe i çnderoi ata australianë që kanë bërë sakrificën e fundit dhe unë shpresoj që të gjithë ata që ishin në to do të kenë turp”, u citua të ketë thënë ai nga ABC News.

Dislokimi i policisë u rrit në zyrat e Unionit të Ndërtimit, Pylltarisë, Detarisë, Minierave dhe Energjisë (CFMEU), e cila është vënë në shënjestër nga protestuesit për mbështetjen e vendimeve të qeverisë së shtetit.

John Setka, shefi i CFMEU, ka fajësuar neonazistët dhe ekstremistët e ekstremit të djathtë për demonstratat e dhunshme.

Autoritetet u detyruan të mbyllin sot një klinikë dhe një qendër vaksinimi në Melburn sepse disa anëtarë të stafit u abuzuan verbalisht dhe fizikisht, përfshirë këtu edhe pështyrjet e shumta, derisa vinin në punë.

– Infeksionet shënojnë rekord të ri

Rritja e vazhdueshme e nxitur nga varianti shumë infektiv Delta i çoi rastet ditore në Victoria në një rekord të lartë sot.

Gjatë ditës së kaluar u regjistruan 766 raste të reja në shtet, duke e rritur numrin e përgjithshëm në 30.961.

Sipas të dhënave të fundit, aktualisht në Victoria ka 6.666 raste aktive me COVID-19, me 257 pacientë në spitale dhe 60 në repartin e kujdesit intensiv.

Katër viktima të tjera u regjistruan gjithashtu në shtet, duke e çuar numrin e vdekjeve në 840.

Numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 në Australi tani qëndron në 90.372, përfshirë 1.186 viktima, tregojnë të dhënat e fundit.

Po ashtu janë 19.500 raste aktive në vend dhe të paktën 1.518 persona aktualisht janë hospitalizuar. /aa