Në sulmet ajrore të Izraelit në Gaza vriten dy fëmijë palestinezë

Dy fëmijë janë vrarë dhe 14 persona janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore që avionët luftarakë izraelitë ndërmorën në Rripin e Gazës nën bllokadë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas deklaratës së Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, avionët luftarakë izraelitë sulmuan një ndërtesë në ndërtim e sipër në rajonin al-Ketibe.

Si pasojë e sulmeve ranë dëshmorë fëmijët Emir el-Nimra (15) dhe Luey Kuheyl (16) si dhe u plagosën 14 palestinezë të tjerë.

Përshkallëzohen tensionet

Ushtria izraelite kishte njoftuar se sot ka goditur rreth 40 objektiva të cilat ajo pretendon se i përkasin brigadave Izzeddin el-Kasam që janë krahu i armatosur i Hamasit në Rripin e Gazës nën bllokadë.

Në deklaratën e ushtrisë izraelite ishte pretenduar se që nga mëngjesi e deri tani nga Gaza drejt Izraelit janë lëshuar 91 raketa.

Sipas lajmeve në mediat izraelite pretendohet se raketat janë lëshuar nga Gaza dhe se janë plagosur lehtë 3 izraelitë, pasi disa prej raketave që nuk janë mundur të pengohen nga sistemi i mbrojtjes ajrore izraelite të quajtur “Kubeja e hekurt” kanë rënë në vendbanimet hebreje në rajonet afër me kufirin.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite kërcënon banorët e Gazës

Nga ana tjetër, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adree, nga llogaria e tij në median sociale, ka publikuar postime kërcënuese kundër palestinezëve që jetojnë në pjesën e Gazës.

“Unë jam i sigurt që populli i Gazës nuk e ka harruar shkatërrimin e përjetuar dekadën e fundit për shkak të Hamasit. Pamja e këtij viti mund të jenë më të rënda se të vitit 2014”, është shprehur Adree në postimin e tij i cili ka shtuar fotografi të disa ndërtesave të shembura në Gaza nga sulmet izraelite në vitet 2008, 2012, 2014 dhe ka vendosur pikëpyetje për vitin 2018.