Deklarata ku xhamitë shqiptare në Perëndim cilësohen si “hamame” në mënyrë përçmuese, kërkon një përgjigje të matur, por të qartë.
Së pari, qendrat fetare shqiptare në diasporë nuk janë produkte spontane apo struktura të rastësishme. Ato janë ndërtuar mbi një traditë të hershme organizimi kombëtar dhe shpirtëror. Mjafton të kujtojmë rolin themelor të Fan Noli në themelimin e institucioneve fetare shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i dhënë diasporës jo vetëm orientim fetar, por edhe vetëdije kombëtare. Po ashtu, Qendra Islame Shqiptare në Amerikë me Vehbi Ismaili ishte një institucion që ruajti identitetin fetar dhe kombëtar në një kontekst emigracioni dhe sfidash integrimi. Në të njëjtën linjë qëndron edhe Teqeja Bektashiane shqiptare në Amerikë e themeluar nga Baba Rexhepi, si vatër e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore.
Këto institucione nuk kanë qenë “hamame”, por hapësira ku është ruajtur gjuha, tradita, identiteti dhe ndjenja e përkatësisë kombëtare. Fjala “hamam” në kuptimin e saj leksikor nënkupton banjë publike. Nëse dikush zgjedh ta përdorë këtë term si metaforë përçmuese, duhet së pari të reflektojë për pastrimin e gjuhës së vet nga fyerja, e pastaj për pastrimin e mendjes dhe zemrës nga përçarja.
Historia islame na sjell shembullin e drejtësisë së Sulejmani (a.s.), kur dy gra pretendonin amësinë për të njëjtin fëmijë. Kur ai urdhëroi që fëmija të ndahej më dysh, nëna e vërtetë hoqi dorë nga pretendimi i saj vetëm që fëmija të jetonte. Pikërisht aty u zbulua e vërteta: ajo që sakrifikon për jetën dhe unitetin është nëna e vërtetë, ndërsa ajo që pranon copëtimin është mashtruese.
Edhe me kombin shqiptar është njësoj. Ata që pranojnë, nxisin apo justifikojnë ndarjen dhe përçmimin e institucioneve që kanë mbajtur gjallë identitetin tonë në diasporë, në thelb po sillen si “nëna” që pranon copëtimin e fëmijës. Dashuria e vërtetë për kombin nuk shprehet me përbuzje ndaj institucioneve të tij, por me përpjekje për t’i përmirësuar ato nëse kanë mangësi.
Kritika është legjitime. Fyerja nuk është.
Debati është i nevojshëm. Përçmimi është i dëmshëm.
Nëse synimi është forcimi i kombit, atëherë gjuha duhet të ndërtojë, jo të djegë ura.
Korab Hajraj
17.02.2026
