Ballina Lajmet Kosovë Nesër takim i ri i delegacioneve Kosovë-Serbi në Bruksel

Nesër takim i ri i delegacioneve Kosovë-Serbi në Bruksel

Delegacioni shtetëror për dialog i Kosovës do të takohet me palën serbe nesër (e hënë) në Bruksel, tre ditë pas takimit që përfundoi me marrëveshje për normalizim ekonomik në Washington, me ndërmjetësimin e SHBA-ve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një shkrim në rrjete sociale, tha se takimi do të ndodhë bazuar në zotimet e dhëna në Samitin e Parisit më 10 korrik 2020 si dhe mbështetjen që e ka marrë nga presidenti francez Macron dhe kancelarja gjermane Merkel “për të dialoguar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

“Marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke. Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë”, shkroi Hoti.

Ai tha se kjo marrëveshje do të jetë sistematike ku përfshihen të gjitha çështjet që duhet të adresohen në mes të dy vendeve të pavarura duke u bazuar në konventat, standardet dhe praktikën ndërkombëtare të rregullimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve të pavarura.

“Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, stabilitet, zhvillim dhe integrim euro-atlantik të të gjithë rajonit”, shtoi Hoti.

Kujtojmë se delegacioni kosovar i kryesuar nga kryeministri Avdullah Hoti bashkë me atë serb të kryesuar nga presidenti Aleksandar Vuçiç, nënshkruan marrëveshje e cila u konsiderua historike më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, për normalizim të marrëdhënieve ekonomike, që përfshinë zhvillim ekonomik të të dyja vendeve ballkanike, rritje të mirëqenies sociale për qytetarët, projekte infrastrukturore, linja hekurudhore dhe autostrada dhe ujdi të tjera politike.

Exit mobile version