Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka njoftuar se ai kishte theksuar “nevojat e sigurisë” së Tel Avivit gjatë një takimi me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, i cili u përqendrua në negociatat me Iranin, Gazën dhe çështje rajonale, transmeton Anadolu.
“Kryeministri theksoi nevojat e sigurisë së Shtetit të Izraelit në kontekstin e negociatave dhe të dy liderët ranë dakord për koordinim të vazhdueshëm dhe kontakt të ngushtë mes tyre”, tha zyra e Netanyahut në një postim në platformën amerikane X pas përfundimit të takimit me dyer të mbyllura.
Kjo erdhi pasi Trump deklaroi se kishte këmbëngulur gjatë diskutimit me Netanyahun që “negociatat me Iranin të vazhdojnë për të parë nëse mund të arrihet ose jo një marrëveshje”. Trump, i cili e cilësoi takimin “shumë të mirë,” tha se përveç kësaj takimi nuk kishte prodhuar “asgjë përfundimtare.”
Deklarata izraelite gjithashtu theksoi se Netanyahu dhe Trump ranë dakord për “koordinim të vazhdueshëm dhe kontakt të ngushtë mes tyre”. Përveç kësaj, ata kanë diskutuar për Gazën dhe zhvillimet rajonale.
Takimi vjen në mes të një angazhimi të ri diplomatik midis Washingtonit dhe Teheranit pas bisedimeve indirekte të mbajtura javën e kaluar në Oman, të parat që nga sulmet ajrore amerikane që shënjestruan objektet bërthamore iraniane në qershor. Raunde të tjera negociatash priten, megjithëse nuk është shpallur ndonjë datë.
Para nisjes për në Washington, Netanyahu ka deklaruar se synonte të paraqesë vizionin e Izraelit lidhur me parimet e çdo marrëveshjeje të mundshme me Iranin.
