Të paktën 18 persona kanë humbur jetën si pasojë e një rrëmuje të krijuar në një stacion hekurudhor në kryeqytetin indian New Delhi, transmeton Anadolu.
Policia e kryeqytetit konfirmoi numrin e të vdekurve nga rrëmuja, që ndodhi në stacionin hekurudhor mbrëmë vonë.
Zyrtarët e hekurudhave thanë se një hetim është nisur për rrëmujën, për të cilën ata fajësuan një “vrapim të papritur” të pasagjerëve.
Zëdhënësi i hekurudhave, Himanshu Shekhar Upadhyay, u tha gazetarëve se një burrë rrëshqiti dhe ra në shkallë, duke përmbysur shumë njerëz që qëndronin pas tij, gjë që çoi deri te incidenti.
Zyrtari i Forcës Kombëtare të Reagimit ndaj Fatkeqësive, Daulat Ram Chaudhary, tha se situata në stacion tani është normale dhe të gjithë të plagosurit janë evakuuar.
Indian Railëays ka njoftuar gjithashtu një kompensim prej rreth 11.500 dollarë për familjet e personave që humbën jetën dhe rreth 2.884 dollarë për të plagosurit rëndë në incident.
Zyrtarët thanë se stacioni dëshmoi një fluks pasagjerësh për shkak të një nxitimi të besimtarëve që po shkonin për të hipur në trenat për në Maha Kumbh Mela, përkatësisht për në festivalin më të madh hindu në Indi, i cili po zhvillohet në shtetin kufitar Uttar Pradesh.
Derisa shumë zyrtarë, përfshirë kryeministrin Narendra Modi shprehën ngushëllime për rrëmujën, lideri i opozitës, Rahul Gandhi, tha se incidenti “edhe një herë theksoi dështimin e hekurudhave dhe pandjeshmërinë e qeverisë”.
Disa dëshmitarë okularë për mediat lokale thanë se nuk kishte njeri që të kontrollonte turmën në momentin e incidentit.