Nexperia, prodhuesi evropian i çipeve për automobil, ka pezulluar furnizimet për fabrikën e tij në Kinë, duke rritur tensionet tregtare që mund të ndalojnë prodhimin e makinave në mbarë botën.
Në shtator, Holanda mori kontrollin mbi Nexperia-n për shkak të shqetësimeve se pronari kinez Wingtech mund të transferonte pronësinë intelektuale, ndërsa Kina ndaloi eksportet nga fabrikat e saj, duke kërcënuar linjat e prodhimit në BE, raporton KosovaPress.
Drejtori ekzekutiv i përkohshëm, Stefan Tilger, tha se pezullimi i dërgesave në fabrikën e Dongguan ishte për shkak të mosrespektimit të kushteve kontraktuale. Kompania shpreson të rifillojë dërgesat dhe do të vazhdojë furnizimin nga fabrika në Malajzi.
Mungesa e komponentëve kërcënon prodhimin e makinerive, megjithëse çipet e Nexperia-s janë më të thjeshta dhe përdoren në pjesë si jastëkët e ajrit, sediljet e rregullueshme, pasqyrat dhe mbylljet qendrore. Disa prodhues si Nissan dhe Honda paralajmërojnë për ndërprerje ose pezullim të prodhimit, ndërsa Toyota thotë se nuk ka problem të madh furnizimi për momentin, , shkruan The Guardian.
Shoqata Gjermane e Industrisë së Automobilave paralajmëron “limitime të konsiderueshme” nëse situata nuk zgjidhet. BE-ja do të diskutojë krizën me drejtuesit e Nexperia-s, ndërsa aktivitetet në Mbretërinë e Bashkuar gjithashtu mund të preken.
