Britania mund të përballet me mungesë të ilaçeve brenda disa javësh. Sipas ekspertëve, nëse lufta me Iranin vazhdon, çmimet e barnave mund të rriten dhe vendi mund të ketë mungesa nga qetësuesit e dhimbjeve deri te trajtimet kundër kancerit
Konflikti ka ndërprerë furnizimin me një sërë lëndësh të para, përfshi naftën, gazin, plehrat bujqësore dhe heliumin – dhe së shpejti mund të preken edhe produktet bazë të shëndetësisë.
David Weeks, drejtor i menaxhimit të rrezikut në zinxhirët e furnizimit për Moody’s, me bazë në Teksas, tha: “Janë kushtet perfekte për një krizë. Kemi konfliktin në Gjirin Persik që çoi në mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, dhe India njihet si farmacia e botës. Ajo prodhon një pjesë të madhe të ilaçeve pa patentë dhe përbërësve aktivë farmaceutikë (API). Me situatën gjeopolitike, bëhet gjithnjë e më e vështirë t’i nxjerrësh këto produkte.”
Me aeroportet në Dubai, Doha dhe Abu Dhabi që fillimisht u mbyllën dhe tani funksionojnë me kapacitet të kufizuar, kompanitë farmaceutike janë detyruar të ridrejtojnë dërgesat përmes ajrit, ndërsa disa po mbështeten tashmë në transportin detar, duke zgjatur kohën e transportit.
Transporti detar – rruga kryesore për shumicën e ilaçeve – është gjithashtu nën presion për shkak të mbylljes pothuajse të plotë të Ngushticës së Hormuzit.
“Nuk jemi ende në krizë, por situata mbetet serioze,” tha Mark Samuels, drejtor ekzekutiv i Medicines UK, që përfaqëson prodhuesit e ilaçeve të lira gjenerike që përbëjnë 85% të barnave të përdorura nga NHS.
Ai paralajmëroi se nëse konflikti zgjatet, mungesat e ilaçeve mund të shfaqen brenda pak javësh. Distributorët zakonisht kanë rezerva për gjashtë deri në tetë javë për të shmangur mungesat, ndërsa furnizuesit e spitaleve në Angli janë të detyruar të mbajnë rezerva për tetë javë.
Gjatë pandemisë Covid, paracetamoli dhe qetësues të tjerë mungonin në Britani dhe gjetkë, pasi prodhuesit në Indi – që prodhon 60% të ilaçeve gjenerike në botë dhe gjysmën e nevojave të SHBA-së – përpiqeshin të përballonin kërkesën.
Britania prodhon rreth gjysmën e ilaçeve të saj në vend, ndërsa një e treta vjen nga India dhe pjesa tjetër nga Bashkimi Europian.
Lufta SHBA-Izrael kundër Iranit ka dyfishuar kostot e transportit ajror. “Një në pesë ilaçe të NHS vjen me avion, dhe aktualisht prodhuesit po përpiqen t’i përballojnë këto kosto,” tha Samuels. “Por marzhet e tyre janë historikisht të ulëta dhe ekziston rreziku që furnizimi me disa ilaçe të bëhet i paqëndrueshëm financiarisht për NHS.”
Ndërsa furnizuesit kanë marrëveshje afatgjata çmimesh me spitalet e NHS, ata kanë më shumë fleksibilitet për barnat që furnizojnë për mjekët e familjes dhe farmacitë, ku mund të rrisin çmimet.
Wouter Dewulf, profesor në Antwerp Management School dhe ekspert i logjistikës farmaceutike, tha se për momentin furnizimet me ilaçe “nuk janë ndërprerë, por janë të trazuara”. Ai pret që prodhuesit të transferojnë kostot më të larta te konsumatorët përmes rritjeve të moderuara të çmimeve nëse situata përkeqësohet. “Gjithçka varet nga sa do të zgjasë lufta,” shtoi ai.
Frank Van Gelder, strategjist i zinxhirëve të furnizimit në sektorin shëndetësor dhe sekretar i përgjithshëm i organizatës jofitimprurëse Pharma.Aero, tha se ndërprerja e korridorit ajror në Lindjen e Mesme ka goditur rëndë sektorin farmaceutik për shkak të varësisë së tij nga fluturimet e shpeshta. Para luftës, rreth 3,700 fluturime pasagjerësh – që transportojnë edhe mallra – kalonin çdo ditë në aeroportet e rajonit.
Volumi i transportit ajror të mallrave ra me 80% në fillim të këtij muaji dhe mbetet ende shumë më i ulët, tha ai.
Disa ilaçe duhet të transportohen patjetër me avion për shkak të urgjencës, përfshirë trajtime të shtrenjta për kancer dhe sëmundje infektive, terapi të avancuara qelizore dhe gjenetike, produkte biologjike që kërkojnë ruajtje në temperatura të kontrolluara dhe barna që përdoren në prova klinike.
Deëulf theksoi se ngarkesat shëndetësore do të kenë gjithmonë përparësi ndaj mallrave të tregtisë elektronike. Transporti detar mbetet alternativë për ilaçet gjenerike më të qëndrueshme, por anijet duhet të kalojnë përmes Kepit të Shpresës së Mirë, duke shtuar rreth 14 ditë në kohën e udhëtimit dhe rreth 1 milion dollarë në kosto karburanti.
Përveç kostove më të larta të transportit, rritja e çmimeve të naftës dhe gazit natyror ndikon edhe në koston e produkteve petrokimike si metanoli dhe etileni, të nevojshme për prodhimin e përbërësve aktivë farmaceutikë (API), si dhe për shiringat, ampulat, tubat, veshjet mbrojtëse dhe pajisjet e tjera.
“Efekti zinxhir në industri – dhe në këtë rast në shkencat e jetës dhe industrinë farmaceutike – është i konsiderueshëm,” tha Van Gelder, duke pyetur: “Kush do ta paguajë këtë?”
Ai shtoi se në fund, koston do ta mbajë pacienti – drejtpërdrejt ose përmes sistemeve publike të shëndetësisë si NHS, që financohen nga taksapaguesit. “Pra, në fund të fundit, të gjithë paguajmë më shumë.”
