Nga viti 2010 në Kosovë u krijuan 85 mijë vende të punës, Serbia prin me të punësuar dhe investime

Sipas strategjisë së Evropës Juglindore 2020, një arritje e rëndësishme, sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, është shtimi i më shumë se 600 mijë vendeve të reja pune.

Sipas kësaj strategjie, Ballkani Perëndimor është kthyer në rrugën e rritjes, duke shtuar më shumë se 600 mijë punë në ekonomitë e saj që nga viti 2010 dhe gjysmë milioni njerëz me arsim të lartë në fuqinë punëtore të saj.

Rajoni ka zgjeruar tregtinë me 33 miliardë euro shtesë dhe ka ulur deficitin tregtar nga -23.1 për qind në -19.7 për qind të PBB-së gjatë 7 viteve të fundit përmes performancës së fuqishme të eksportit, duke sinjalizuar rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve të saj dhe shërbimet në tregjet ndërkombëtare.

Kosova

E sipas kësaj Strategjie që nga viti 2010-të në Kosovë janë shtuar 85 mijë vende të reja të punës. Statistika këto që janë publikuar në Strategjinë e Evropës Juglindore 2020- Rezultatet e zbatimit 2018-të.

Sipas këtij raporti, Kosova është ekonomia e vetme rajonale, që arriti dhe tejkalonte objektivin e saj të rritjes dhe konvergjencës, aktualisht në 160 përqind të objektivit të saj për Prodhimin e Brendshëm Bruto ( PBB) për kokë banori. Ndonëse nga niveli më i ulët bazë, që ishte 22 përqind në vitin 2010 ka kaluar në 30 përqind në vitin 2017. Në raport ku flitet për Kosovën thuhet se ekonomia është e mbyllur, duke ndjekur objektivin 2020 në rritjen e tregtisë, pasi progresi i tij drejt arritjes së objektivit është 66 për qind, me një qarkullim total prej 3,3 miliard euro në 2010 në 5 miliardë euro në 2017.

E sa i përket punësimit, në strategji thuhet se Kosova ka arritur dhe ka tejkaluar targetin e caktuar, duke shtuar 85 mijë vende të punës gjatë viteve të fundit.

E kur bëhet fjalë për matjen e efektivitetit të Qeverisë, thuhet se Kosova është në gjysmë të rrugës për të arritur targetin e caktuar, me të cilën aktualisht qëndron në 2.1 në rrugën e saj nga 1.9 në vitin 2010 në 2.3.

Shqipëria

Por pas Kosovës, vendi me numër më të vogël të krijimit të vendeve të reja të punës, është Shqipëria e cila nga viti 2010 deri në vitin 2017 ka krijuar vetëm 28 mijë vende të reja pune. Në Strategjinë e Evropës Juglindore 2020, thuhet se Shqipëria ka pasur një ecuri të fuqishme, në rritjen e tregtisë brenda rajonit dhe aktualisht është 5.8 për qind, që është një rritje prej 200 për qind (nga 4 në vitin 2010 me objektivin e caktuar në 4.9) dhe një shenjë inkurajuese që Shqipëria, e cila ishte më pak e integruar në ekonominë rajonale, po zgjeron tregtinë e saj me partnerët rajonalë.

Shqipëria thuhet se ka performancën e dytë më të mirë në tregti, sa i përket progresit të bërë drejt arritjes së objektivit të PBB-së për person të punësuar, në 64 për qind. Shqipëria ka arritur objektivin e SEE2020 në numrin e personave të kualifikuar, duke shtuar 102 mijë e 385 persona të rinj në fuqi punëtore. Në matjet e punësimit, Shqipëria e tejkalon targetin e caktuar për 9 për qind, duke shtuar 28 mijë vende pune gjatë viteve të fundit. Ndërsa synimi i saj kombëtar, ishte më pak ambiciozi në rajon. Baza e Shqipërisë ishte shumë më e lartë se ajo e të gjitha ekonomive tjera të rajonit.

Serbia

E në anën tjetër është Serbia, ajo që prin me numrin më të madh të vendeve të rajonit, sa i përket krijimit të vendeve të reja të punës. Sipas këtij raporti krijimi i vendeve të punës në Serbi, ka shtuar pothuajse dy të tretat e krijimit të përgjithshëm rajonal të punës, me pothuajse 400 mijë vende të reja pune krijuar në vitet e fundit. Po ashtu thuhet se Serbia ka marrë mbi 50 për qind të pjesës së përgjithshme të investimeve të huaja direkte në rajon, me 2.5 miliardë euro duke tejkaluar progresin e saj drejt objektivit të SEE 2020. E kur është fjala për progresin në bilancin tregtar (si % e PBB-së), Serbia arriti dhe e tejkaloi objektivin, duke lëvizur nga -5.9 për qind në vitin 2010 në -10.8 për qind në vitin 2017. Sidoqoftë, Serbia nuk ka parë përparim në objektivin e rritjes dhe konvergjencës gjatë 7 viteve të fundit.

Maqedonia

Pas Serbisë, është Maqedonia e cila ka krijuar 103 mijë vende të reja pune. Punësimi në Maqedoni, ka treguar një rritje të qëndrueshme dhe është në një rrugë të mirë, për të përmbushur objektivin e caktuar për 2020, me një ecuri aktuale prej 71 për qind. Ekonomia shtoi numrin e dytë më të madh të punëve të reja në 103 mijë. Po ashtu thuhet se rritja e tregtisë në Maqedoni, ka qenë mbresëlënëse, me ekonominë pothuajse dyfishimin e tregtisë së saj gjatë 7 viteve të fundit nga 6,9 miliardë euro në 12,5 miliardë euro. Ekonomia është ndër udhëheqësit në rajon me 71,062 persona të sapo shtuar dhe të kualifikuar në fuqi punëtore. Ekonomia tregon përparim në arritjen e objektivit të saj, PBB për kokë banori aktualisht është 37 për qind, duke u zhvendosur nga 34 për qind nga viti 2010 në 43 për qind deri në vitin 2020.

Bosnja dhe Hercegovina

Ndërsa sa i përket krijimit të vendeve të punës Bosnja dhe Hercegovina thuhet se janë 63 për qind, punë të reja, e objektivit të arritur. Sipas kësaj strategjie, Bosnja dhe Hercegovina ka vendosur një nga objektivat më ambicioze, për reduktimin e balancës negative të tregtisë dhe aktualisht është në -24 për qind për shkak të performancës së fortë të eksportit. Baza në vitin 2010-të ishte -28,3 dhe objektivi i caktuar është në -20,2 për qind. Sa i përket progresit të PBB-së, për një person të punësuar, ekonomia është udhëheqësi rajonal, duke arritur dhe tejkaluar targetin e caktuar, aktualisht qëndron në 40 mijë e 769 euro. Sa i përket energjive të rinovueshme në objektiv final bruto (%), Bosnja dhe Hercegovina ka pasur një rënie në përdorim krahasuar me vitin bazë 2010 (28,9% në vitin 2016 kundrejt 33,1% në vitin 2010).

Megjithatë, në strategji thuhet se këto zhvillime edhe pse inkurajuese, nuk do të jenë të mjaftueshme, që të gjithë pjesëmarrësit në atë ekonomi të përfitojnë, për të siguruar konvergjencë më të shpejtë me BE-në. Sipas këtij raporti mbajtja e normave të rritjes në nivelet aktuale, do të vononte prosperitetin për qytetarët e rajonit me dekada.