Ballina Lajmet Kosovë Nisin punimet në zgjerimin e rrugës Kijevë-Dollc por protestojnë banorët

Nisin punimet në zgjerimin e rrugës Kijevë-Dollc por protestojnë banorët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka inaguruar fillimin e punimeve për zgjerimin e rrugës nacionale N9-Segmenti Kijevë-Dollc, rrugë e cila, do të lidh kryeqytetin me pjesën perëndimore të Kosovës. Megjithatë, aty dolën për të protestuar edhe banorët e kësaj ane, pasi po mbyllen bizneset e tyre.

Aty u panë edhe qytetarët e Kijevës të cilët protestuan për fillimin e këtyre punimeve për shkak që mund të mbyllen mbi 60 biznese.

Protestuesi Isuf Mehmetaj ka thënë se në këtë rrugë janë të dy anët të shpronësuara, dhe tani duhet të mbyllen këto biznese.

“Jemi dal në protestë për shkak të devijimit të rrugës. Këta po thonë vetëm zgjerim i rrugës. Tash toka e bukës po humbet. Këtu janë dy anët e rrugës të shpronësuara, të gjitha bizneseve, prandaj kemi dal se ato tash vetëm duhet me i mbyll. Numri i bizneseve është diku 62”, ka thënë Mehmetaj.

Kurti rreth kësaj çështje është shprehur se nuk dëshirojnë të dëmtojnë askënd, mirëpo nuk mund ta lënë këtë rrugë pa e zgjeruar, por do ta diskutoj me ministren e ekonomisë dhe të financave.

“Edhe me ministren e ekonomisë dhe të financave do ta diskutojmë këtë çështje, duke i trajtuar kërkesat e tyre, nuk dëshirojmë të dëmtojmë askënd, mirëpo nuk mund ta lëmë këtë rrugë pa e zgjeruar”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, zëvendësministri i planifikimit hapësinor dhe infrastrukturës, Hysen Durmishi ka vijuar se është takuar me pronarët e këtyre bizneseve, por ky projekt është hartuar shumë më herët. Ai thekson se ka shumë arsyeje që ka devijuar kjo rrugë, por një nga kryesoret është se zgjerimi i rrugës në vendbanime i dëmton vendbanime.

“Pronarët e këtyre bizneseve unë i kam takuar disa herë në zyrën time me kërkesë të cilat ata i kanë parashtruar dhe kemi diskutuar. Brenda departamenteve tona në ministri ky projekt është hartuar shumë më herët, devijimi i kësaj rruge ka filluar shumë më herët, deri në Kijevë është rruga e devijuar nga rruga ekzistuese. Ka shumë arsyeje pse ka ndodhur ky devijim, por një ndër arsyet kryesore është se zgjerimi i rrugës në vendbanime i dëmton vendbanimet kur të bëhet rruga me katër korsi ngritet niveli i rrugës në njërën anë dhe i pamundëson kyçjet edhe tek objektet që ndodhen aty afër “, ka vijuar Durmishi.

Exit mobile version