Ballina Lajmet Kosovë Një person ne Lybeniq të Pejës humb jetën tragjikisht në një pus...

Një person ne Lybeniq të Pejës humb jetën tragjikisht në një pus uji

Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e së dielës në fshatin Lybeniq të Pejës, ku një person ka humbur jetën pasi ka rënë në një pus gjatë punës për pastrimin e tij. Lajmi është konfirmuar nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, i cili ka dhënë detaje mbi operacionin e ndërlikuar të nxjerrjes së trupit.

Sipas njoftimit të ShKShMK-së, thirrja për ndihmë ishte pranuar nga Policia e Kosovës, e cila ka raportuar për një aksident në fshatin Lybeniq, komuna e Pejës.

“Skuadrat e ShKShMK-së janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes për të filluar operacionin. Në vendngjarje ishin të pranishëm Policia e Kosovës, njësitet e zjarrfikësve dhe emergjencave. Një person kishte rënë në pus gjatë punës për pastrimin e tij,” thuhet në njoftimin zyrtar.

Operacioni për nxjerrjen e trupit të pajetë ka zgjatur disa orë, për shkak të kushteve të vështira brenda pusit, duke përfshirë thellësinë, mungesën e oksigjenit dhe praninë e gazrave të rrezikshëm.

“Për shkak të thellësisë, pranisë së gazrave dhe mungesës së oksigjenit, operacioni kërkoi koordinim të ngushtë ndërmjet të gjitha palëve kompetente për nxjerrjen e viktimës,” thekson ShKShMK.

Trupi i viktimës u nxor me sukses falë bashkëpunimit ndërmjet Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës dhe kompanisë së Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“U realizua me sukses operacioni për nxjerrjen e trupit të pajetë të viktimës nga pusi në Lybeniq të Pejës,” thuhet më tej në komunikatë.

Në fund, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka shprehur ngushëllimet më të thella për familjarët e viktimës.

“Ngushëllime familjarëve të viktimës,” përfundon njoftimi.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur ende identitetin e viktimës, ndërsa rrethanat e plota të aksidentit pritet të sqarohen nga hetimet që janë në zhvillim.

Exit mobile version