Subjektet politike në Kosovë nuk kanë gjetur konsensus për shtyrjen e datës së zgjedhjeve lokale, që janë planifikuar të mbahen më 17 tetor të këtij viti.
Partitë opozitare kanë kundërshtuar shtyrjen e zgjedhjeve në takimin e sotëm ku kanë qenë të ftuar nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, për tu konsultuar mbi gjendjen me pandeminë dhe mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve.
Pas takimit, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar për media se nuk kanë pranuar që të shtyhet data e zgjedhjeve, por pranojnë që të shkurtohet fushata zgjedhore ose të mos ketë fare fushatë zgjedhore.
Të njëjtin qëndrim e kanë përkrahur edhe nga AAK-ja, ku përfaqësuesi i këtij subjekti politik që mori pjesë në takim, Muharrem Nitaj, ka thënë para medieve se nuk ka pasur konsensus për shtyrjen e zgjedhjeve, pasi që vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka qenë pro, ndërsa opozita e ka kundërshtuar.
“Zgjedhjet do të mbahen në ditën e caktuar siç kanë qenë të shpallura. Presidentja Osmani deklaroi se pa konsensus politik, nuk ka mandat dhe nuk do t’i shtyjë zgjedhjet”, tha ai.
Nitaj ka thënë se në mungesë të pajtimit mes subjekteve politike, zgjedhjet do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, ashtu siç edhe ishin planifikuar, ndërsa fushata zgjedhore do të zgjasë 5 ditë.
Edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve, ndërsa ka deklaruar se kjo është një ditë e mirë për demokracinë e vendit.
Ai ka thënë se LDK-ja do të ushtrojë fushatë pesë-ditore ose fare, për të ruajtur kështu shëndetin e qytetarëve.