Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka thënë në një intervistë për agjencinë e lajmeve AP se Kombet e Bashkuara kanë ofruar të monitorojnë çdo armëpushim në Gaza dhe kanë kërkuar t’i jepet fund asaj që ai e quajti si vdekja dhe shkatërrimi më i keq që ka parë gjatë mandatit të tij.
Guterres tha se është “joreale” të mendohet se OKB-ja mund të luajë një rol në të ardhmen e Gazës, qoftë duke administruar territorin ose duke siguruar një forcë paqeruajtëse, sepse Izraeli nuk ka gjasa ta pranojë këtë.
Por, tha ai, “OKB-ja do të jetë në dispozicion për të mbështetur çdo armëpushim”.
“Niveli i vuajtjeve që po dëshmojmë në Gaza është i paprecedentë në mandatin tim si Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Unë kurrë nuk kam parë një nivel të tillë vdekjeje dhe shkatërrimi siç po shohim në Gaza në muajt e fundit.”
Lufta deri më tani ka vrarë më shumë se 40,900 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.